Mjeku Hajdin Thaçi flet për problemet shëndetësore të Sylejman Selimit

09.01.2019 15:54:31

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi që nga 4 janari po qëndron në Qendrën Klinike Universitare për shkak të problemeve shëndetësore.

Nga QKUK-ja një ditë më parë e kanë konfirmuar se Selimi, po vazhdon trajtimin në Klinikën e Otorinolaringologjisë.

Drejtori i ORL-së, Hajdin Thaçi ka treguar për Telegrafin se Selimi vuan nga problemet me marramendje, dhe po trajtohet me terapi konservative.

“Ka ardhur për trajtim që disa ditë. Në fakt është për ri-trajtim, pasi probleme të tilla ka pasur edhe më herët. Simptomat janë marramendje dhe është duke u trajtuar me një terapi konservative”, ka thënë Thaçi.

Ditë më parë mediat kanë raportuar se ish-komandanti i UÇK-së ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim.

Por për të shkuar në Hagë, drejtori i ORL-së thotë se Selimi ka nevojë për përcjellje, pasi ka josiguri në ecje.

Thaçi ka bërë të ditur se Sylejman Selimi ka nevojë për trajtim në QKUK rreth 10 ditë.

“Sa i përket qëndrimit, atij i duhet të qëndrojë në spital rreth 10 ditë. Ka jo siguri në ecje, pra në drejtpeshim dhe probleme me marramendje. Pra me aparatin e drejtpeshimit. Gjithsesi i duhet përcjellje”, deklaroi Thaçi për media.

Problemet shëndetësore të Selimit, dje i komentoi edhe avokati i tij, Tomë Gashi.

Ky i  fundit në një postim në rrjetin social facebook tha se ish-komandanti i UÇK-së, deri më tani nuk ka ndonjë ftesë nga Specialja.

Por theksoi se është në kontakt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që nëse ndodhë, intervistimi i klientit të tij të bëhet në Prishtinë.

“Gjeneral Sylejman Selimi, ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk është ftuar asnjëherë nga Zyra e Prokurorit Special për tu intervistuar në Hagë. Të gjitha kontaktet zyrtare në formë të shkruar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e tij në Prishtinë jemi duke i udhëhequr unë dhe avokatët amerikanë Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan”, kishte shkruar Gashi në facebook.

Sylejman Selimi ishte dënuar me gjashtë vite burgim nga Gjykata e Mitrovicës, nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës.