Mleçan, iu dha lamtumira e fundit, muzikantit, rapsodit Ibrahim Sefë Gashi

19.01.2018 22:05:49

Nga:Jusuf M. Bytyçi

Djali i katërt i Sadbere dhe Sefë Mleçanit, ishte edhe zëri i katërt i këngëve frymëzuese-atdheut Simboli i mijëra ditëve festive të çdo fshati e qyteti të Kosovës ishte pa dyshim edhe simbol i familjes së tij të gjerë dhe i vet fshatit Mleçan. Mleçan, 19 janar Mijëra qytetarë nga të gjitha lokalitetet e komunës së Malishevës, nga komuna tjera të Kosovës e jashtë saj, pasditen e së premtes, qenë të pranishëm në përcjelljen e fundit të Ibrahim Sefë Gashit, të birit të Sefë Mleçanit, i cili vdiq të enjten pas dite. Gjithë ky “lum” njerëzish, edhe personalitete publike institucionale, nga komuna e Malishevës, e të tjerë, nga FSK etj., ishin krahas familjes e familjarëve të profesorit të ndjerë Ibrahim Gashi, për t’u shprehur atyre ngushëllime dhe për ta ndarë dhembjen me familjen. Paraprakisht në ambientet e shkollës nëntëvjeçare “Beçir Gashi”, në fshat, u mbajt një mbledhje komemoracioni, ku krahas drejtorit Elmi Kryeziu, folën edhe Zymer Kryeziu, Halim Hoti, nga DKAE në Malishevë, Imer S. Gashi, në emër të familjes etj. Drejtori i SHFMU “Beçir Gashi”, kujtoi se profesori Ibrahim Gashi, i lindur më 6 qershor të vitit 1952, në fshatin Mleçan, nga nëna Sadbere dhe babai Sefë Gashi, u dëshmua në misionin e tij si mësimdhënës shembullor i shumë gjeneratave. Ishte njëri nga profesorët më kontributdhënës, përfshirë edhe periudhën e mbijetesës së shkollës shqipe. Ibrahim Gashi, në vitet 80-ta kishte kryer Akademinë e Muzikës në Shkup, ndërsa mësimet që ai mori shërbyen si mësim për gjeneratat që do të vinin më pas, dhe ua përcolli nxënësve në mënyrën më të bukur dhe njerëzore. Ibrahimi, ishte djali i katërt i Sadbere dhe Sefë Mleçanit, ishte edhe zëri i katërt i bijve, që më vonë në mbarë opinionin shqiptar do të njiheshin si Bijtë e Sefës. Dashuria ndaj familjes dhe ndaj atdheuet bëri që t’i thurë vargje e t’i këndoj këngë frymëzuese vendit të tij. Simboli i mijëra ditëve festive të çdo fshati e qyteti të Kosovës ishte pa dyshim edhe simbol i familjes së tij të gjerë dhe i vet fshatit Mleçan. Këngët e tij u bënë frymëzim ndër breza, breza që më vonë jo vetëm me këngë, por edhe me armë i konkretizuan ato vargje, tha oratori kryesor. Për shumë vite punoi si mësimdhënës në shumë shkolla në Kosovë, ndërsa së fundmi njohuritë e tij mësimdhënëse, deri në pensionimin e pashijuar, ia dedikoi shkollës së vendlindjes, dhe rritjes së tij në Mleçan, në shkollen e cila bart edhe emrin e vëllait të tij-dëshmor Beçirit. Puna e gjatë e Ibrahimit ndër dekada, 40 vjet, dëshmi se edhe nxënësit e tij janë burgosur, luftuan dhe ranë dëshmorë, nxënësit e tij janë veteranë, janë kuadro të profileve të ndryshme, profesorë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë…këngëtarë, udhëheqës, janë familjarë. Puna e gjatë në arsimimin dhe edukimin e nxënësve të gjeneratave të shumta, e gjeti Ibrahimin sa të lumtur, aq edhe të rraskapitur, duke dhënë nga vetja të tërën. Rraskapitjen e shëndetit të tij e rëndoi edhe më përjetimi i humbjes së vëllezërve, edhe Osmanit, ikonën e folklorit shqiptar dhe nënës Sadbere, raste të ngulitura në shpirtin e tij, që dukej se po i merrnin edhe pikën e fundit të shpresës jetësore! Krenaria familjare, Ibrahim Gashi, po venitej, po tretej ditë e për ditë, deri në momentin kur zëri i tij melankolik s’po dëgjohej më! Mesdita e 18 janarit 2018, do të ishte edhe mesdita e fundit për jetën e Ibrahimit, mesditë që theu zemrat tona, të çdo nxënësi dhe adhuruesi të këngës së tij. Zymer Kryeziu, po ashtu tha se Ibrahimit, muzikantit, këngëtarit legjendë, nuk mund t’i themi lamtumirë përgjithmonë, pasi ai, që nga fëmijëria u ka kënduar legjendarëve, trimave, heronjëve, mësuesve, atdheut. Zëri i tij, nuk do të shuhet asnjëherë, deri sa të ketë shqiptarë mbi këtë dhe, zëri i tij, do të na shoqërojë edhe dekada e dekada për të mos u harruar kurrë! Duke përfunduar, oratori Kryeziu, lexoi vargje këngësh të kënduara nga rapsodi Ibrahim Gashi e vëllezërit e tij.

Legjenda: Ibrahim S. Gashi