Momentet kur Nehat Thaçi fjalosej me EULEX-in për qytetarët e Mitrovicës

29.09.2016 14:00:04

Pranë urës së Ibrit në vitin 2012, qytetarë të shumtë ishin mbledhur për një protestë pasi ishin ftuar në facebook. Me të dëgjuar për këtë tubim, Policia e EULEX-it kishin shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por Nehat Thaçi i kishte pritur kështu “Kush ju ka thirrë juve me ardhë këtu”

Drejtori i Policisë së Kosovës në Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, është arrestuar mbrëmë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, nga policia e Serbisë. Sipas një njoftimi nga policia serbe, Thaçi është arrestuar për akuza të terrorizmi.

Por kush është Nehat Thaçi. Ai njihet si njeriu që nga pozita që mban në Policinë e Kosovë, ka ndikim të madh te qytetarët, veçanërisht në raste të protestave. Thaçi në një protestë të vitit 2012 pranë urës së Ibrit, kishte arritur të parandalojë eskalimin e situatës, duke ndërhyrë ndërmjet Policisë së EULEX-it dhe qytetarëve.

“Kush ju ka thirrë juve EULEX-in me ardhë këtu”, kanë qenë fjalët e para që Thaçi ia kishte drejtuar komandantit të forcave të misionit evropian.

Policët e EULEX-it, kishin ardhur mbi urën e Ibrit pasi kishin dëgjuar se aty po zhvillohet një protestë.

“Pse keni ardhur këtu, a po e shihni se jeni duke e tensionuar situatën me gjithë këto alarmime. Për shkak tuajin janë mbledhur këtu këta njerëz kureshtarë”, ka shtuar Thaçi.

“Jemi ardhur sepse ka protestë”, i ishte përgjigjur komandanti i EULEX-it, derisa Thaçi kërkonte nga ai të dinte se çfarë informacioni ka apo kush i ka thënë se këtu do të ketë protestë.

“Nuk ka protesta dhe ju lutemi shkoni, nëse ne kemi nevojë do t’ju thërrasim”, i ka thënë Thaçi atij.

Vendosja e forcave policore të EULEX-it me autoblinda ka zgjuar kureshtjen e njerëzve të rëndomtë që kishin dalë për të pirë kafe apo për të kryer punët e përditshme. Pas kësaj, në afërsi të urës mbi lumin Ibër janë mbledhur rreth 100 veta, të cilët kanë diskutuar me Policinë e Kosovës