“Mon Balaj e Arben Xheladini, dëshmorë të së ardhmes”

10.02.2017 13:23:20

Nën organizimin e Vetëvendosjes, dhjetëra qytetarë kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të cilët ishin vrarë gjatë protestave të 10 shkurtit 2007.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjkufca, në fjalimin e tij i quajti Balajn dhe Xheladinin dëshmorë të së ardhmes, përderisa tha që sot po përballemi me pasojat e asaj çka nuk kishin mundur ta ndalin në vitin 2007, duke iu referuar planit të Ahtisarit.

“Plani i Ahtisarit ishte një ndarje etnike e Kosovës dhe i ka pamundësuar Kosovës shtetësinë, andaj edhe e pamë të arsyeshme që ta thërrasim një protestë për kundërshtimin e këtij plani. Në këtë shesh, në atë proteste u përballën dy palë.

Njëra ka mishëruar idealin e kamotshëm të këtij kombi për liri të plotë, kurse pala tjetër ishte makineria e pushteti që kishte dalë për ta shtypur këtë protestë me gjak, me një dhunë të madhe e me një brutalitet të paparë” tha Konjufca.

Tutje ai e quajti të pandershme sjelljen e politikanëve atëkohë, përderisa falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm qe drejtësia të vie në vend.

“Ne nuk e harrojmë sjelljen e pandershme të politikanëve atëkohë. Gjysma u fshehën e gjysma i dolën në mbrojtje dhunës se egër të policisë së UNMIK-ut. Ne kurrë nuk do të ndalemi se kërkuari drejtësi për 10 shkurtin. Çdo minutë që kalon i jep edhe më shumë të drejtë sakrificës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit” deklaroi deputeti Konjufca.