Monika Kryemadhi: Do ketë valë protestash, Rama së shpejti i pandehur

08.01.2018 11:16:43

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka thënë se 2017-ta ishte një vit i errët për Shqipërinë.

Ajo theksoi se Rama do të jetë së shpejti i pandehur i drejtësisë, për shkak se ka shkelur Kushtetutën para zgjedhjeve të qershorit të shkuar.

Kryemadhi zbuloi se me PD-në do të ketë një agjendë të përbashkët politike që do të ndërtohet në të ardhmen, e cila sipas saj do të finalizohet me rrëzimin e kryeministrit Rama nga qeveria.

“2017 ishte viti i zgjedhjeve kriminale, i kanalizimit të vendit, të trafikut të drogës, i kapjes së shtetit që çoi edhe në bllokimin e reformës në drejtësi, – tha Kryemadhi. – Ndërkohë 2018 do jetë një vit i konfirmimit të opozitës, ndërsa për Ramën një vit i izolimit të tij politik. Rama mund të jetë i pandehur i drejtësisë së shpejti për faktin si ka punuar e vepruar. Rama shquhet për manipulim e mashtrim të opinionin publik.

Kryemadhi tha se së shpejti LSI do të çojë në Prokurori një akt-padi ndaj kryeministrit për shkelje të Kushtetutës para zgjedhjeve të qershorit 2017. Po përgatisim dhe do të dërgojmë akt-padinë tonë në prokurori ndaj Ramës që bëri thirrje gjatë fushatës, lini kapelën e policit dhe dilni në fushatë”.

Sa i takon bashkëveprimit dhe rakordimit me Partinë Demokratike për protestat e paralajmëruara të janarit, Kryemadhi zbuloi: “Takimi me kreun e PD-së Basha, finalizoi një bashkëpunim për të ardhmen e opozitës së bashku që do të ketë marrëveshje të qarta politike, një platformë politike të qartë që nga protestat, deri te axhenda e së ardhmes, – vijoi ajo. – Bëhet fjalë për një valë protestash, që s’ka të bëjë me hapjen apo mbylljen e Kuvendit, por me problematikat që përfshijnë shqiptarët, korrupsioni, shëndetësia etj, sepse shqiptarët po varfërohen”.

Për reformën në drejtësi, Kryemadhi tha se është Rama frikacaku dhe jo LSI.

“Rama duke qenë se është frikacak mendon se dhe të tjerët janë frikacakë, ai e di shumë mirë që LSI nuk njeh nocionin e frikës, aq më shumë unë. Drejtësinë e vendosin institucionet dhe jo ai.