Monika Kryemadhi: Të gjithë së bashku do ta shporrim nga qeverisja Edi Ramën

27.01.2018 18:01:13

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi pas protestës së opozitës oaraditen e sotme ka bërë një reagim në faqen e saj në facebook.

Kryemadhi ka falenderuar të gjthë pjesëmarrësit në protestë dhe po ashtu ka thënë se kjo është protesta jonë, forca jonë dhe rruga e vetme për të rifituar dinjitetin.

Reagimi i plotë i Kryemadhit

Dua të falenderoj nga thellësia e zemrës çdo shqiptar që ishte sot në protestën e opozitës!

Shpreh mirënjohjen për çdo të moshuar, pensionist, intelektual, punëtor apo student, për çdo njeri që ka humbur shpresën dhe që sot protestoi ndaj narkoshtetit.

Falenderoj dhe ata që udhëtuan nga larg për të qenë sot pjesë e protestës, edhe mijëra të tjerë që na përcollën nga media dhe rrjetet sociale dhe që do të jenë me ne në protestat e ardhshme.

Dua të falenderoj edhe forcat e rendit, që edhe pse të urdhëruar nga shefat trafikantë të drogës nuk ranë pre e provokimeve të tyre por kryen detyrën si profesionistë.

Le të jetë kjo ditë shenja e nisjes së protestës mbarëpopullore kundër qeverisë së krimit dhe drogës! Të gjithë së bashku do të mundemi ta shporrim nga qeverisja Edi Ramën dhe klikën e tij të hajdutëve! Kjo është protesta jonë, forca jonë dhe rruga e vetme për të rifituar dinjitetin!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.