Mori 5 mijë Euro duke përdorur emrin e Fatos Klosit, dënohet avokati

12.11.2016 21:17:53

Një avokat është dënuar nga gjykata e Tiranës me 8 muaj burg, pasi kishte mashtruar një qytetar që kërkonte të punësohej si pedagog pranë Agjencisë Kombëtare Bërthamore. Amarildo Riska, kishte konkurruar dy herë pranë këtij institucioni për një vend vakant si pedagog dhe të dyja herët kishte fituar.

Por çuditërisht, ai nuk ishte përzgjedhur si pedagog me argumentin se nuk plotësonte kriteret. Nisur nga kjo situatë Riska, ka rënë në kontakt me avokatin Kujtim Ibraj, tek i cili e kishte çuar shtetasi Besim Meta, që kishte luajtur rolin e ndërmjetësit për të cilin gjykata ka vendosur ta dënoje me 2 milion lek gjobë për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Ibraj, mësohet ti ketë premtuar Riskës se kundrejt shumës prej 5 mijë euro do ndërhynte tek Fatos Klosi, i cili ishte drejtues i Agjensisë Kombëtare Bërthamore, në mënrë që ai të punësohej si pedagog. Riska ka pranuar të japë sasinë e eurove, por nuk është punësuar tek ky institucion. Ai ka vendosur ti kallëzojë në prokurori, avokatin Kujtim Ibraj, i cili është arrestuar nga organi i akuzës, dhe pak ditë më parë është dënuar nga gjykata e Tiranës me 8 muaj burgim. Për këtë ngjarje janë pyetur në prokurori drejtpërdrejt shtetasit Elida Bylyku dhe Fatos Klosi, të cilët kanë mohuar që të kenë hyrë në bisedime me të pandehurin Kujtim Ibraj për punësimin e Amarildo Ristos.

Amarildo Riska është paraqitur në prokurori në datën 14 prill 2016, ku ka depozituar kallëzim penal ndaj këtij avokatit Kujtim Ibraj, për akuzën e “Mashtrimit”. Riska mes të tjerash në kallëzimin e tij, deklaron se: “Prej disa kohës kishte filluar përpjekjet për t’u punësuar pranë Institutit të Fizikës Bërthamore dhe se ishte përpjekur dhe kishte konkuruar dhe se ishte shpallur dy herë fitues, por dy herë, nuk është punësuar me arsyetimin se “…nuk i plotëson kriteret…”. Në këto përpjekjet e tij për të mundësuar punësimin në këtë institucion, i dëmtuari ka kontaktuar me të pandehurin Kujtim Ibraj, ku ky i fundit i ka premtuar se kundrejt një shifre prej 5.000 Euro, do të mund ta punësonte duke shfrytëzuar njohjet e tij, me shtetasin Fatos Klosin, i cili ishte drejtues i Agjencisë Kombëtare Bërthamore. Ky shtetas njihte drejtoreshën e Fizikës Bërthamore, shtetasen Elida Bylyku, dhe për këtë fakt i pandehuri Kujtim Ibraj ka bindur të dëmtuarin Amarildo Risa.

Pas kësaj, Amarildo i ka dhënë shumën e kërkuar të pandehurit Kujtim Ibraj. Pasi ka pritur për një kohë të gjatë dhe nuk është bërë asgjë përsa i përket punësimit të të dëmtuarit, ky i fundit ka bërë kallëzim penal në autoritetet përkatëse. Përgjimi, të bëj punë me Fatosin Në kuadër të hetimit lidhur me këtë kallzim penal, prokuroria, ndër të tjera janë kryer edhe përgjime proçeduriale nga ku ka rezultuar se, shtetasi Kujtim Ibraj, ka pranuar se e ka marrë shumën prej 5.000 eurove dhe ka vijuar t’i premtojë të dëmtuarit, shtetasit Amarildo Risto, se patjetër do ta rregullojë në punë nëpërmjet Fatos Klosit. Në këtë ngjarje është përfshirë edhe shtetasi, i pandehuri Besim Meta, pasi ka qënë i pranishëm dhe ndikues në marrëdhëniet midis Amarildo Riskës dhe Kujtim Ibrajt.

Mbështetur në këto përgjime proçeduriale nga gjykata, për shtetasin Kujtim Ibraj, është vendosur si masë sigurimi personal ajo e “arrestit në burg”. Gjatë shqyrtimit në seancë gjyqësore të masës së sigurimit personal, mbrojtësi i shtetasit Kujtim Ibraj, ka parashtruar versionin se Kujtim Ibraj, i ka marrë këto të holla dhe i ka bërë këto veprime në funksion të profesionit të tij si avokat për të plotësuar një kërkesë të klientit. Ky pretendim është marrë në konsideratë nga organi i proçedues dhe është hetuar në këtë drejtim për të parë nëse në funksion të profesionit të tij, shtetasi Kujtim Ibraj, kishte krijuar apo jo korrespondencë zyrtare me institucionet ku do të punësohej shtetasi, i dëmtuari Amarildo Riska, me qëllim mundësinë e punësimit të këtij të fundit.

Mirëpo nëpërmjet një shkrese të dërguar nga Istituti i Fizikës Bërthamore, është mësuar se avokati Kujtim Ibraj,nuk ka kryer asnjë korespondencë me institucionin e tyre për punësimin e Amarildo Ristos,gjithashtu përcaktohet se Kujtim Ibraj, nuk është pjesë e asnjë komisioni ose jurie që vendos apo këshillon rekrutimin e pedagogëve. Gjithashtu janë pyetur drejtpërdrejt shtetasit Elida Bylyku dhe Fatos Klosi, të cilët kanë mohuar që të kenë hyrë në bisedime me të pandehurin Kujtim Ibraj për punësimin e Amarildo Ristos.Në këto kushte i pandehuri Kujtim Ibraj, nëpërmjet gënjeshtrës ka arritur të mashtrojë shtetasin Amarildo Risto, duke pretenduar se do ta punësonte atë nëpërmjet njohjeve të tij me shtetasit Fatos Klosi e Elida Bylyku.