Mosinteresimi i familjarëve, rreth 300 mbetje mortore ‘zaptojnë’ morgun

17.03.2019 18:47:17
Rreth 300 mbetje mortore po vazhdojnë të qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore që datojnë që nga Lufta e Parë Botërore e deri në luftën e vitit 1999 në Kosovë, të cilat nuk janë identifikuar dhe nuk dihet kujt i përkasin.

Shumica e këtyre mbetjeve mortore janë të personave që nuk ndërlidhen me luftën e fundit, por që aktualisht janë në Morgun e Prishtinës.

Mbetjet që nuk ndërlidhën me luftën e fundit, së shpejti do të varrosën në një lokacion që komuna e Prishtinës ka ndarë afër varrezave në lagjen Arbëria.

Por, në këto varreza nuk do të varrosen mbetjet mortore që kanë mbetur nga lufta e fundit.

Udhëheqësi i Departamentit të Mjekësisë Ligjor, Arsim Gërxhaliu, ka thënë për lajmi.net se në morg janë rreth 300 mbetje mortore, të cilat nuk përputhen, me familjarët e personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, të cilët kanë dhënë gjak.

Gërxhaliu ka thënë se problem për mosidentifikimin e deritashëm të këtyre mbetjeve ka qenë mënyra e punës e Tribunalit të Hagës fillimisht si dhe fakti se ka edhe familje të cilat ende nuk kanë dhënë gjak, e për të cilat thotë se duhet të shikohet mënyra se si të gjendet qasja ndaj tyre në mënyrë që të mund të pastrohet çështja.

“Në morg janë 300 mbetje mortore, analizat e ADN-së nuk janë përputhur me familjarët të cilët kanë dhënë gjak. 4 mijë raste i ka punuar Tribunali i Hagës, pa analiza të ADN-së vetëm në formë klasike edhe mbi 2 mijë raste janë të cilët i kanë varrosur vet shqiptarët pa ADN”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se tani po dalin telashe për shkak të gabimeve të cilat kanë ndodhur në të kaluarën.

“Gjatë një interviste që pata dhënë para 3, 4 viteve, prej 57 varrezave, 17 kanë dalur që kanë dal gabim që do të thotë rreth 20 për qind kanë dal gabim. pra thjeshte tash kah fundi janë dal pak telashe edhe tash po dalin ato gabimet që kanë ndodhur gjatë procesit. Po flasim për periudhën para Tribunali, pastaj UNMIK deri në vitin 2008 pastaj EULEX-i kanë qenë të dërguara prej Serbisë të shkapërderdhur, tash mungon ajo pjesa përfundimtare dhe nxjerr shumë problem”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai po ashtu ka thënë se ka edhe raste që nuk janë të luftës së fundit, ato së shpejti do t’i dërgojnë në një parcelë që është ndarë në lagjen Arbëria në Prishtinë për këtë çështje.

Në Kosovë aktualisht janë 1mijë e 647 persona që figurojnë të zhdukur në luftën e vitit 1999 dhe i përkasin të gjitha përkatësive etnike.