Mosmarrëveshje të mëdha mes Sindikatës dhe Ministrisë të Shëndetësisë

31.03.2017 17:45:18

Sabri Cakaj, nga Sindikata e Shëndetësisë, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se kërkesat e tyre janë të thjeshta, e megjithatë nuk po plotësohen nga ministria.

Ai ka deklaruar se rritja e pagave dhe kushtet më të mira në punë janë kërkesat e vetme, së fundmi, mosplotësimi i të cilave con në grevë të vazhduar të punëtorëve shëndetësorë, njofton Klan Kosova.

“Gjendja në shëndetësinë kosovare është katastrofale. Pas konsultimeve kemi vendosur që pakënaqësitë t’i kanalizojmë përmes protestave. Kërkesat tona fillimisht kanë qenë më të zgjeruara, por në takim me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, në parim jemi marrë vesh që Ligjin për Sigurime Shëndetësore, për paga dhe premiume të mos jenë imediate. Kështu ne kemi kërkuar që pagat të na rriten për 15 për qind dhe të na përmirësohen kushtet e punës”.

Por me konstatimet e tij nuk është pajtuar Izet Sadiku, zëvendësministër i Shëndetësisë, i cili ka theksuar se për realizimin e të gjitha kërkesave duhet punuar bashkërisht dhe asesi duke kërcënuar me greva.

“Sindikata ka tash vetëm një kërkesë: rritjen e pagave. Ne duam që të rriten fondet për shëndetësinë. Që të përmirësohen shërbimet, por edhe të rriten pagesat për punëtorë, sipas performancës në punë. Po ashtu synojmë licencimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët ende punojnë me ‘licenca politike’. Dhe deri në qershor edhe ky proces duhet të kryhet. Kështu që nuk ka arsye për grevë”.