MPBAP reagon pas dëmtimit të varrezave në Rahovec

11.04.2020 14:09:07

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka dënuar aktin vandal të dëmtimit të varrezave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas në Rahovec.

U.d i ministrit të MPBAP-së, Xhelal Sveçla ka kontaktuar me deputetin e IRDK-së, Elbert Krasniqi, të cilin e ka siguruar që MPBAP ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe do të bëhet maksimumi që të gjenden kryesit e kësaj vepre.

“Policia e Kosovës po punon në vazhdimësi në zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti. Të gjithë së bashku jemi qytetarë të Republikës dhe pjesë e shoqërisë pa dallim. Bashkë kemi ndërtuar e po ndërtojmë vendin dhe institucionet tona, andaj ky akt ndaj tyre është i papranueshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë e të angazhohemi për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë”, thuhet në reagimin e MPBAP-së.