MSH ngushëllime për vdekjen e 15-vjeçares: Mjeku po lufton me vdekjen

17.05.2017 15:32:31

Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi për mediat shpreh ngushëllimet për familjarët e 15- vjeçares Blerta Pepa e cila u nda nga jeta pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, në spitalin Continental. Në të njëjtën kohë, MSH shpreh solidarizimin me mjekun anestezist Tefik Zhurda, cili sipas MSH në këto orë të vështira po lufton me vdekjen.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së 15 vjeçares B.P., e cila humbi jetën pas komplikimeve shëndetësore, gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital jopublik në Tiranë. Jemi pranë familjarëve në këto momente dhimbjeje të rëndë për humbjen e vajzës së tyre.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë po ndjek nga afër ecurinë e gjendjes shëndetësore të mjekut reanimator, i cili po lufton me vdekjen në këto orë të vështira.
Në pritje të përfundimit të hetimeve dhe daljes së rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur grupin e punës për ndjekjen e këtij rasti dhe do të marrë masat e duhura për këtë ngjarje të rëndë”, thuhet në njoftimin e MSH.