Muhamet Hamiti: “Le Figaro” e shtrembëron realitetin në Kosovë, shteti duhet të reagojë

15.06.2019 03:04:14

Prishtinë, 14 qershor 2019 – Muhamet Hamiti, profesor i Universitetit të Prishtinës, ka reaguar lidhur me një reportazh të gazetës franceze “Le Figaro” lidhur me pozitën e serbëve në Kosovë.

Hamiti, ish këshilltari i dy presidentëve të Kosovës, Ibrahim Rugova e Fatmir Sejdiu, dhe ish ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, në një postim në Facebook, ka vërejtur se “Le Figaro”, në reportazhin me titull “Në Kosovë, serbët po rezistojnë” (Au Kosovo, les serbs fond de la résistance),  i ka cilësuar serbët si “qytetarë të rendit të dytë në Kosovë.

Ai ka thënë se autoritetet shtetërore të Kosovës duhet të reagojnë lidhur me shtrebërime të tilla, siç ka bërë “Le Figaro”.

“Serbët dhe pakicat e tjera kombëtare në Kosovë kanë të drejta e privilegje të pakundshoqe në ndonjë vend evropian”, thekson profesor Hamiti.

Postimi i plotë i Hamitit:

“Le Figaro”: Serbët, ‘qytetarë të rendit të dytë’ në Kosovë, po rezistojnë

Gazeta e njohur franceze “Le Figaro” ka botuar një reportazh të gjatë me titull “Në Kosovë, serbët po rezistojnë”.

Për aq sa mund të shohë njeriu, nga pjesa fillestare e reportazhit që jepet në faqe të gazetës (pjesa tjetër vetëm për parapagues), me plot fotografi, artikulli pozicionohet krahas 100.000 serbëve ortodoksë të Kosovës në kundërshtimin e këtyre ndaj legjitimitetit të shtetit të Kosovës.

Rendi është t’i bëhet reagim i mençur këtij artikulli, mbas leximit të tekstit të plotë, nga një instancë autoritative. Shteti duhet të reagojë ndaj shtrembërimve të tilla, ndaj paraqitjes së serbëve të Kosovës si ‘qytetarë të rendit të dytë’, siç bën kjo gazetë.

Serbët dhe pakicat e tjera kombëtare në Kosovë kanë të drejta e privilegje të pakundshoqe në ndonjë vend evropian.