Muja: Nuk lejojmë barriera në Rugovë, nuk duhet të ketë taksë (Foto)

08.04.2019 14:34:20

Njëri nga përfaqësuesit e shoqërisë civile nga Peja, Veton Mujaj, gjatë protestës së sotme kundër vendosjes së laurës në hyrje të Grykës së Rugovës ka thënë se nuk do të lejohet vendosja e taksës për vizitorët në Rugovë, dhe se këtë nuk do ta lejojnë Peja dhe Rugova.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Mujaj ka publikuar foto të protestës së sotme.

“Nuk lejojmë barriera në Rugovë, fatkeqësisht me revoltë barrierat do ta pësojnë siç e kanë pësuar të premten. Institucionet tona duhet të kuptojnë se demokracia nuk ndërtohet pa qytetarët. Parku nacional në Rugovë është bërë pa konsultimin e banorëve, demarkacioni është bërë pa konsultime me banorët. Shoqëria civile është në përkrahje të banorëve. Na duhet që të veprojmë me të gjitha forcat që t’iu tregojmë se nuk lejojmë. Është një masë që ndalon zhvillimin e Rugovës. Kjo është një taksë që po vendosin për qytetarët. Kjo nuk lejohet për Rugovën tonë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, vendimi i marrë për vendosjen e një laure në hyrje të Grykës së Rugovës, është kundërshtuar nga banorët, aktivistë e ambientalistë të asaj pjese.

Javën e kaluar, Banorët i kanë vënë flakën laurës në hyrje të Grykës së Rugovës.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar Fatmir Morina, drejtor në Drejtorinë për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, drejtori kjo e cila funksionon në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Morina në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se vendosja e kësaj laure ka për qëllim parandalimin e dukurive negative, dhe se assesi nuk do të aplikohet taksë.

Fatos Lajçi, një nga ambientalistët e Pejës, ka kundërshtuar vendosjen e laurës në Grykën e Rugovës. Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është e papranueshme.