Mulla Musliu kundër mulla Bekollit, apo turpi i mafias politike e medietike

06.03.2017 23:23:26

Nga Rexhep Kastrati

Me publicitet të madh  “u zbulua” se mulla Fetah Bekolli paska përgatitur trupat e pajetë të të masakruarve të familjes jashari, sikur të bëhej fjalë për ndonjë lajm festiv. Mirëpo, nuk vonoi dhe doli një hoxhë tjetër – mulla Osman Musliu, i cili tha se ai i kishte përgatitur trupat e pajetë të të masakruarve të familjes jashari, kurse varrimin e kanë bërë forcat serbe.

Është për të theksuar se pas 19 vjet nga masakra e familjes jashari është hera e parë që bëhet çështje polemikash një çështje kaq e rëndë dhe kaq e ndjeshme që edhe pas kaq vitesh ngjall ndjenja dhembshurie dhe trishtimi, e që do të thotë se cenohet rëndë ndjenja e pasardhësve të kësaj familjeje. Dhe kjo bëhet në kundërshtim edhe me traditën zakonore dhe me traditën më pozitive kombëtare shqiptare.

Pavarësisht se cili po e thotë të vëtetën, e cili jo, është shumë domethënës fakti se 19 vjet pas masakrës, del dikush që na paskësh përgatitur trupat e pajetë të familjes jashari, e i cili më shumë sesa si imam, sesa si njeri që ka për detyrë të kryejë ceremoni fetare, paraqitet si yll medietik dhe si hero.

Dhe përpjekja medietike për ta heroizuar një hoxhë, është edhe një dështim medietik, është një turp medietik i mafisë politike dhe medietike që kanë uzurpuar hapësirën politike dhe medietike, sepse kjo përpjekje la në hije vetë trupat e pajetë të familjes jashari.

Dhe më të rëndë këtë turp e ka bërë pikërisht reagimi i një mulle tjetër – mulla Osman Musliut, i cili paraqiti një variant tjetër të përgatitjes së trupave të pajetë të familjes jashari, sipas të cilit nuk ishte mulla Fetah Bekolli, por vetë mulla Musliu që kishte bërë këtë.

Mafia politike e medietike, ndërkaq, e ushqen veten edhe me marrëzira të tilla, duke prekur edhe në dhimbjen e thellë të familjes jashari dhe të një populli të tërë.

Degjenerimi politik dhe medietik që pas luftës e këndej shquhej me keqpërdorimin e viktimave të luftës dhe të gjakut të derdhur të një populli të tërë për të kryer uzurpime, krime të ndryshme, për të imunizuar veten, për të heroizuar veten dhe për të marrë pushtet politik, tashmë është bërë edhe më i madh me hapjen e debatit se kush paska përgatitur trupat e pajetë të familjes jashari.

Edhe këtë nuk ua ka pasur borxh as familja jashari, as populli që çdo 5, 6 dhe 7 mars gjithë vëmendjen dhe ndjenjat i ka me pasardhësit e asaj familje.