Paisja me targa po vazhdon të mbetet një nga shumë problemet në Kosovë, të cilit ende nuk po i gjendet zgjidhje. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në muajin korrik doli me njoftimin se në mungesë të targave të rregullta në Agjencinë për Regjistrim Civil të gjithë qytetarët e Kosovës mund të pajisen me targa provuese (të përkohshme) deri në përfundim të procesit të prokurimit për furnizim me targa civile. Në këtë deklaratë thuhej se përfundimi i këtij procesi është çështje ditësh, por që nuk doli të jetë ashtu. Qytetarët e Republikës së Kosovës ende nuk kanë mundësi të pajisen me targa,dhe kjo gjë po i pengon ata të lëvizin lirshëm jashtë kufinjve shtetëror.
Rroksana Qarri nga zyra për informim e Ministrisë së Punëve të Brenshme tha se kjo ministri para një muaji ka dalë me deklaratën se lënda për targat e veturave është ende në shqyrtim,dhe se një deklaratë e tillë vlen ende.
“Ministria e Punëve të brendshme ende është në pritje të shqyrtimit të lëndës për targat ,dhe sapo te kemi në dorë vendimin për çështjen e paisjeve me targa MPB do dalë me një deklaratë për media”, tha Qarri ,duke mos caktuar një datë se kur do të paisjen qytetarët me targa. Ajo shtoi se tani procesi është ende në fazën e vlerësimit nga ana e komisionit vlerësues, i cili pritet të përfundojë brenda ditësh si proces i menaxhuar nga MPB.
Nga ana tjetër deputeti Rexhep Selimi ka deklaruar për Infopress se Kosova është kthyer në një deponi të llollojshmërisë se targave që i lëshon MPB-ja. Prej targave të ish Jugosllavisë PR, pastaj KS, e deri të RKS MPB-ja, sipas tij e ka humbur identitetin e targave që perfaqësojnë shtetin. “Loja korruptive me targat RKS i ka hapur rrugë rikthimit të të targave te UNMIK-ut KS të cilat “kanë rastisur” të jenë të lejuara edhe për kalim nëpër Serbi. Qeveria po luan lojë me targat që ti hapë shanse rikthimit në një model të pranueshem edhe për Sebinë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër Krenar Shala tha për Infopress se mungesa e përgjegjësisë dhe dobësia e sistemit të drejtësisë ka bërë që të cenohet siguria kombëtare. “Mungesa përgjegjësisë duke perfshirë dhe dobësinë e sistemit të drejtësisë, ka shkaktuar që zyra e prokurimit pranë MPB-së të cenojë sigurinë kombëtare”, tha Shala. Tutje ai tha se përgjegjësit për këtë çështje duhet të përballen me drejtësinë dhe se qytatarët duhet të organizojnë protestë për të shtyrë prokurorinë që të nisë hetimet për këtë çështje.
“Mendoj që qytetarët aktiv duhet të organizojnë protestë për të shtyrë prokurorinë që të nisë hetimet lidhur me këtë çeshtje. Mos të harrojmë që targat perbëjnë element të sigurisë kombëtare dhe mos-arritja e furnizimit të automjeteve me targa përbën kërcënim për sigurinë dhe përgjegjesit duhet të përballen me drejtesinë”, është shprehur Shala.
Analisti Arsim Haziri vonesat për tender rreth kësaj çështje thotë se janë element i neglizhencës siç është qeveria në tërësi. Ai shton se çështja e vonesave ndikon negativisht edhe te lëvizja e lirë, dhe se kjo neglizhencë nga ana e qeverisë duhet të rikuperohet. “Çështja e vonesave mendoj se përveç elementeve negative që përbën ajo ndikon negativisht edhe te levizja e lirë e qyetarëve pasi mos shpallja e një tenderi tregon edhe nivelin e seriozitetit në të cilen qeveria gjendet. Mbi këtë frymë konsideroj se kjo neglizhencë e qeverisë duhet urgjentisht të rikoperohet në mënyrë që pengesa të tilla të mos i shqetësojnë qytetarët. Mbi këtë bazë them se kjo është nivel i papërgjegjësisë së qeverisë dhe hapa të tillë jo që janë diçka të papritshme”, u shpreh Haziri.
Kurse, sipas analistit Islam Krasniqi Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdon dështimet radhazi përderisa ministri, Skender Hyseni vazhdon të qëndrojë më shumë jashtë vendit nëpër takime e trajnime. Sipas tij tenderi i stërvonuar nga MPB-ja vjen si pasojë e papërgjegjësisë së zyrtarëve të kësaj ministrie të cilët lanë në harresë tenderin për targa të reja pa dhënë asnjë shpjegim për këtë parregullsi. “Tenderi i ri është dashur të shpallet me herët, mirëpo kjo është penguar nga dikush brenda këtij institucioni, i cili e ka shtyer tenderin e ri që të blejë kohë për t’ju siguruar grupeve të caktuara klanore, apo edhe dikujt nga zyrtarët brenda ministrisë që të jenë aksionar në këte tender”, mendon ai.






































