Mungesë hapësire për pacientët në koma

08.09.2017 17:00:55

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Repartin e anesteziologjisë dhe reanimacionit, për mjekim post-intensiv, gjenden tetë pacientë në koma vigjilje.

Kosova nuk ka qendra rehabilituese të specializuara për pacientët në koma. Mjekët thonë se këta tetë pacientë, janë vendosur në këtë Klinikë, në mungesë të vendit adekuat për ta.

Nehat Baftiu, anesteziolog i tha Radios Evropa e Lirë se të gjithë pacientët që nuk mund ta marrin veten për 48 orë nga mjekimi intensiv, i sjellin në Klinikën e anesteziologjisë, ndonëse nuk është repart adekuat.

“Nuk është përgjegjësi e jona t’i mbajmë ata pacientë aty, por në mungesë hapësire ne i mbajmë në Klinikë dhe kujdesemi për ta. Që nga pas lufta nuk ka ndonjë qendër rehabilituese për këta pacientë. Neve nuk na pengojnë, por sikur të jetë një qendër për pacientët në koma, do të kishim mundësi më ta mira trajtimi për pacientët në nevojë”, thotë Baftiu.

Ndërkaq, Basri Lenjani drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se për pacientë në koma, përkatësisht koma vigjilje, siç quhen në terminologjinë mjekësore, është më se e nevojshme një qendër rehabilitimi. Sipas tij, institucionet gjegjëse do të duhej të ndërmerrnin hapa konkret që sa më shpejtë Kosova ta ketë një të tillë.

“Përkundër angazhimeve të Kinikës së emergjencës dhe anesteziologjisë, qe disa vite kemi kërkuar të bëhet një qendër nacionale për pacientët që janë në gjumë të thellë apo personat në koma. Shumica e shteteve këtë komponentë e kanë të rregulluar dhe pas qëndrimit disa kohë në shërbimin intensiv dhe pas rehabilitimit të tyre kjo kategori kërkon një mbështetje shtetërore”, thotë Lenjani.

Zoti Lenjani thotë po ashtu se Kosova i ka dy qendra rehabilituese, por që duhet adaptohen që të mund të vendosen edhe pacientët në koma.

“Do duhej të kemi qendër rehabilituese që do t’i plotësonte kushtet. Ne i kemi dy qendra një në Kllokot e një në Pejë dhe do duhej të kompletoheshin me staf profesional, ku duhet gamë multidiciplinare që kërkon angazhim, dhe kjo duhet zgjidhet në qarqe të larta. Kjo është ngarkesë për shërbimet tona në vend që ne të merremi me rastet që kanë benefit të jetës”, tha Lenjani.

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se është planifikuar të ketë mjekim të ri intensiv brenda dy vjetësh. Sipas tyre, aty do të ketë kapacitete të shumëfishta dhe aparaturë të re, e që shërbimet do të jenë shumë më të mira për pacientët, përfshirë pacientët në koma vigjilje.