Mungon avokati, shtyhet gjykimi ndaj Naser Osmanit dhe të tjerëve

11.09.2017 13:38:55
Mungesa e avokatit Besnik Berisha, ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj ish-nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), njëherësh ish-deputetit në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani dhe të akuzuarve të tjerë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën ishte paraparë të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Naser Osmanit, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu Agron Kamberi, Adrian Kelmendi e Agim Deshishku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Në seancën e së hënës, ishte paraparë të jepej dëshmia e dëshmitarit Haxhi Arifi, por që e njëjta është shtyrë me kërkesën e të akuzuarit Naser Osmani, pasi ka munguar mbrojtësi i tij, avokati Berisha.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti, e pyeti të akuzuarin nëse pajtohet për të vazhduar seanca pa prezencën e mbrojtësit të tij, por i akuzuari Osmani, nuk është pajtuar të dëgjohet dëshmitari Arifi, pa qenë prezent edhe avokati i tij.

I akuzuari Naser Osmani, tha se mbrojtësi i tij i kishte thënë se sot nuk do të jetë i pranishëm në këtë seancë, po ashtu edhe kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti, tha se nuk ka pranuar ndonjë njoftim nga avokati Berisha, që nuk do të prezanton në këtë seancë.

Pas konsultimit, trupi gjykues mori vendim që kërkesa e të akuzuarit Naser Osmani të pranohet dhe seanca të shtyhet për 16 tetor 2017, me fillim nga ora 9:30.

Ndryshe, rasti  kundër  Naser  Osmanit  kishte  filluar  sipas  kallëzimit  penal  të  parashtruar  nga  Policia  e  Kosovës  më  28  prill  2014.  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më  30  prill  2014,  kishte  marr  aktvendim  për  fillimin  e  hetimeve,  kurse  kjo  Prokurori  më  16  shkurt  2016,  kishte  ngritur  aktakuzë  kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku, të gjithë zyrtarë në AKP.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian  Kelmendi,  Agron  Kamberaj, si  kryesues  të  Njësisë  së  Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa  Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Wrsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro.

Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”. Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte  blerë  me  çmim  prej  2,310,000  euro  nga  blerësi, që më pas i akuzuari Agim  Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësojë 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 prill 2016, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special  Admir  Shala, të pandehurit Naser  Osmani dhe Bahri Shabani, nuk u deklaruan lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit.  Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 maj 2016, por e njëjtë ishte shtyrë. Që nga 6 maji 2016, e deri në fund të shkurtit 2017 nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër lidhur me këtë rast.

Kjo aktakuzë, tani, do të përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-prokurori special, Admir Shala, është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.