Murati i quan situata anarkiste ato me Gjuriqin dhe gylenistët

29.03.2018 19:18:33
Njohësi i çështjeve të të drejtave të njeriut, njëherësh kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e ka quajtur anarkike situatën e kohëve të fundit në Kosovë.

“Çka po ndodh kështu? Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli reagojnë për arrestimin dhe deportimin e gylenistëve duke lënë të nënkuptohet se nuk ishin fare në dijeni për këtë operacion. I pari duket se ishte shumë pak i njoftuar edhe me situatën që solli ngjarjet dramatike të së hënës në veri”, ka thënë Murati.

Sipas tij, kjo është e paprecedentë.

“Situata të tilla anarkiste mund të na vendosin në pozita të rënda si shtet para çdo procesi politik në të ardhmen dhe vënë në pikëpyetje funksionalitetin e institucioneve”, ka shtuar më pas ai.