Murati: Privilegjet kushtetuese për pakicën serbe, bllokuese dhe shantazhuese

09.04.2018 21:40:28

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në shënimin e 10-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, ka vlerësuar se “duhet të jemi të vetëdijshëm se shumica e problemeve që sot ka Kosova në funksionimin e saj, janë kushtetuese”.

Murati përmes një postimi në facebook, ka thën se “mbi të gjitha privilegjet kushtetuese dhe juridike për pakicën serbe, të cilat kanë natyrë bllokuese dhe shantazhuese janë themeli i jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës”.

Postimi i Muratit:

“Sot po bëhen 10 vjet prej kur u miratua Kushtetuta e Kosovës, e cila është kopje e parimeve të Pakos së Ahtisaarit. Anash lavdërimeve dhe krenarisë për kushtetutën, ne si shoqëri duhet të jemi të vetëdijshëm se shumica e problemeve që sot ka Kosova në funksionimin e saj janë kushtetuese. Mbi të gjitha privilegjet kushtetuese dhe juridike për pakicën serbe, të cilat kanë natyrë bllokuese dhe shantazhuese janë themeli i jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës. Procesi politik dhe juridik, i cili duhet të pranojmë që nuk është fare i lehtë, që do të çonte drejt ndryshimit të kësaj kushtetute është themeli i vendosjes së plotë të sovranitetit të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Murati.