Mushkolaj: Marrëveshja e re për demarkacionin, strategji për ta hequr nga agjenda

23.01.2018 20:42:14

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi vazhdon të mbetet temë e nxehtë dhe gjithashtu sfidë për spektrin politik në vend.

Tashmë kur pothuajse e tërë vëmendja është përqendruar tek Gjykata Speciale, deputetë nga koalicioni qeverisës siç duket janë duke përgatitur një Plan B për mbylljen sa më të shpejt të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas deputetit të Alternativës, Ilir Deda, Nisma për Kosovën dhe Aleanca Kosova e Re, janë duke tentuar që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e demarkacionit .

Sipas tij, këto dy parti janë duke synuar që në Kuvendin e Kosovës të arrihet ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi me 80 vota

“Unë kam biseduar me disa anëtarë të Qeverisë të cilët nuk janë nga AAK-ja. Janë nga tjera parti tjera. Ata po mundohen që ta bëjnë një deklaratë me Qeverinë e Malit të Zi, e cila do ta rikonfirmon pikën 7 të marrëveshjes së demarkacionit e cila do thotë se në dy vitet e ardhshme pasi ta ratifikoj Kosova, kur të bëhet shënimi i pikës kufitare do ta përforcojë atë që thotë se dokumentet shtesë do të merren parasysh dhe kufiri lëvizë jashtë asaj që është shkruar në marrëveshje”, ka thënë Deda për Tribuna Channel.

Por, rreth një iniciative të tillë, analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Telegrafin se për këtë gjë do të duhej të pajtohen rreth pikës 7 të marrëveshjes.

“Aktualisht nuk ka marrëveshje të re. Duhet të miratohet aktualja dhe të pajtohen rreth pikës 7. Kjo mund të jetë zgjidhje, por varet nëse pajtohet AAK-ja. E, e po ashtu shumë e rëndësishme nëse ka vullnet nga Mali i Zi”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka theksuar se kjo mund të jetë një strategji dalëse nga situata, për ta hequr nga agjenda demarkacionin.

Ndërkaq zyrtarë nga AKR-ja kanë mohuar se janë duke përgatitur një marrëveshje të re për Demarkacionin, duke thënë se deklaratat e deputetit Ilir Deda janë të pavërteta.

Telegrafi ka provuar të marrë një qëndrim rreth kësaj çështje edhe nga Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.