Musliu: Prokurorit Blakaj iu pamundësua të ushtrojë detyrën

15.08.2018 21:33:09

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj është mesazhi më i keq që mund të jepet për prokurorët që punojnë në mënyrë profesionale dhe të ndershme.

Ai në emisionin Dossier në RTV Dukagjini ka thënë se dorëheqja e Blakajt dëshmon se sistemi prokurorial ka arritur në një fazë ku është e pamundur të kryhet detyra sipas ligjit.

Sipas Musliut, prokurorit Blakaj iu pamundësua puna, duke thënë se ai ishte ndër prokurorët më profesional.

“Prokurori Blakaj ka ngritur një aktakuzë, e cila ka një muaj që nuk dërgohet në gjykatë. Fakti që kjo aktakuzë është ngritur, tregon për heroizmin e këtij prokurori”, shprehet Musliu.

“Të gjitha këto rrethana i kanë pamundësuar prokurorit Blakaj të ushtrojë funksionin”.

“Vetë fakti që sistemi i drejtësisë ka besueshmëri kaq të ulët është argument se aty nuk ka vend për një prokuror si Elez Blakaj”, thotë më tej Musliu.

“Ka shumë Blakaj tjerë në sistemin tonë të drejtësisë që po u pamundësohet puna, dhe janë në atë pozitë ‘të jesh apo të mos jesh’”, shton ndër të tjera Blakaj, përcjell Telegrafi.

Juristi  Musliu thotë se dorëheqja e Blakajt nuk është rezultat i një kërcënimi të drejtpërdrejt, por si rezultat i pamundësimit të kryerjes së punës.

Musliu thotë se Blakaj kishte ngritur aktakuzë ndaj profilit të lartë.

“Aktakuza që Blakaj kishte ngritur për listat e veteranëve përfshinte vetëm profilet super të larta, ndërsa veteranët mashtues duhet të hetohen nga nivelet e prokurorive themelore”, tha Musliu.

Duke folur për procesin e një vettingu të mundshëm në sistemin e drejtësisë, Musliu ka thënë se mbi 70 për qind e pjesëtarëve të sistemit të drejtësisë nuk do e justifikonin pasurinë.