MUSTAFA: ATA QË SHKAKTUAN HUMBJE MILIONËSHE, TË PËRGJIGJEN PENALISHT

19.04.2017 12:12:07

Humbja e dhjetëra milionë eurove nga gjykatat e arbitrazhit, ka bërë që deputetët t’i kërkojnë përgjegjësi kryeministrit Isa Mustafa.

Por, ky i fundit tha se përgjegjësia duhet të kërkohet tek ata që i kanë shkaktuar këto vendime, madje sipas tij, duhet të përgjigjen penalisht për to.

Këto deklarata kreu i ekzekutivit i bëri të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, kur u pyet nga deputeti i PDK-së, Abdyl Ymeri se cilat masa kanë ndërmarrë rreth vendimeve që do ta dëmtojnë shtetin me miliona euro.

“Cilat masa i  keni ndërmarr dhe çka do të ndërmerrni tani pasi që kemi një vendim përfundimtar, i cili do ta dëmtojë rëndë ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës, kur dihet se Qeveria e Kosovës është pronare e 100 për qind të këtyre aksioneve?”, tha deputeti Ymeri.

Por, kryeministri Mustafa tha se për qeverinë që ai drejton ende nuk janë të qarta procedurat që kanë shkaktuar dëmin prej 30 milionë euro që do t’i paguajë Kosova pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

“Kosova do ta paguajë një dëm të madh nga paraja publike prej 30 milionë euro për shkak të disa procedurave, të cilat as për mua si kryeministër, as për Qeverinë nuk janë akoma të qarta, e as vendimi Gjykatës së Arbitrazhit. Janë duke u zhvilluar procedura në drejtësinë kosovare lidhur me këtë, e që unë nuk mund të them se çfarë rezultat mund të marrim. Rezultati më i keq do të jetë që për shkak të papërgjegjësive Kosova dhe paraja publike do të humb, do t’i humbin rrafsh 30 milionë euro, për të cilat nuk kemi reagim publik, kemi dy tre pyetje të deputetëve, por s’ka asnjë reagim publik për këtë problem që është shumë i madh për ne”, tha Mustafa.

Por, përveç rastit të pasaportave, Z-Mobiles, Kosova rrezikon edhe dënimin nga Axos-i.

“Tanimë kemi humbur pesë milionë euro në tenderin e pasaportave, 30 milionë euro me Z-Mobile, çka do të ndodhë nëse humbim kontestin gjyqësor me Axos-in. Kjo po i bie se nga këto raste, sido quajeni, afera, dështime, apo diçka tjetër, buxheti i Kosovës do të dëmtohen me miliona euro, përfshirë këtu edhe shpenzimet për avokatë, këshilltarë të transaksioneve e çka do tjetër”, ka thënë Ymeri.

Mirëpo, kreu i ekzekutivit kërkoi ndjekje penale për ata që i kanë shkaktuar këto situata, ku Kosova po humb miliona në Gjykata të Arbitrazhit.

“Ajo që do të ndodhë, mendoj, që duhet të ndodhë përgjegjësia penale, edhe përgjegjësia politike e gjithë atyre që janë shkaktarë të këtyre humbjeve, tjetër përgjigje s’kam si kryeministër. Duhet të përgjigjet dikush pse ne i humbin pesë milionë e 300 mijë në procesin e pasaportave, edhe më shumë së këto, jo vetëm për pasaporta, sepse edhe një shumë është paguar që ka shkuar për asgjë, pse duhet t’i humbin 30 milionë për telekomin, dhe pse duhet t’i humbin një shumë që nuk dua të prejudikoj as me Axos-in”, tha Mustafa.

Në këtë pikë të rendit të ditës, pati edhe pyetje tjera parlamentare, për ministrat e kabinetit qeveritar, ku disa morën përgjigje, e disa jo, për shkak të mungesës së ministrave në seancën plenare.