Mustafa dhe Abrashi thonë se vetëm LDK mund t’ia kthejë dinjitetin Prishtinës

28.09.2017 18:46:41

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një tubim elektoral në Prishtinë tha se LDK ka personalitete të cilat meritojnë besimin e qytetarëve. Ai tha se partia e tij do t’ia kthejë Prishtinës meritat dhe dinjitetin që e meriton. Mustafa tha se në krahasim me konkurentët e tjerë kjo është zgjidhja më e mirë që LDK i ofron qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Tutje ai tha se Arban Abrashi ka përkrahjen e plotë të partisë që ta drejtojë Prishtinën.

“Komunën e trajtojmë sikur shtëpinë tonë dhe problemet e komunave do t’i trajtojmë sikurse problemet e shtëpisë sonë”, tha Mustafa.

Ndërsa në fjalimin e tij, kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi tha se gjatë këtyre javëve bashke me qytetarët erdhën në konkludim se Prishtina ka nevojë për diçka të re dhe se qyteti duhet t’u kthehet te qytetarët e tij.

“Prishtina ka nevojë për një qasje të re politike, për katër vite kryeqyteti ynë mbeti peng i politikave”- tha Abrashi.

Tutje ai tha se rrugët janë mbushur me mbeturina, trafiku është në kaos, nuk është ndërtuar asnjë shkollë, është degraduar jeta kulturore dhe sportive dhe se vetëm LDK-ja mund të ja kthejë Prishtinën qytetarëve të tyre.

Më pas Abrashi ka shpalosur programin për Prishtinën, ndërsa në fund ka prezantuar të gjithë kandidatët për Asamble Komunale.