Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa i ka reaguar Marko Gjuriqit, drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili tha se “serbët në Kosovë janë grupi etnik më i persekutuar në Evropë”.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të dëshironte që shqiptarët në Luginë të Preshevës t’i kenë të drejtat e serbëve në Kosovë.
Postimi i plotë:
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, z.Marko Gjuriq, paska deklaruar se “serbët në Kosovë janë grupi etnik më i persekutuar në Evropë”.
Unë jam gati ta marrë përgjegjësinë për t’i shndërruar shqiptarët e Luginës së Preshevës si “më të persektuarit në Evropë” sipas standardeve të z.Gjuriq, duke e firmosur dokumentin me atë dhe me shefin e tij, që garanton të drejtat e njëjta kushtetuese dhe ligjore për shqiptarët në Serbi, sikurse ato të serbëve në Kosovë.
Si i persektuar i vërtetë që jam, orën dhe vendin e firmosjes së dokumentit ia lë natyrisht atyre.








































