Mustafa: Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë

09.01.2019 14:36:26

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, vlerëson se të martën Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë.

Siç ka shkruar Mustafa në Facebook, LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën.

Kështu, vlerëson Mustafa, një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet.

“Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla”, ka shkruar ndër tjerash Mustafa, duke shtuar se “Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti”.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel.

Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun.

Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan ti tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në.

LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla.

Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti.