Mustafa: Në Istog të gjithë u bënë kundër LDK-së

18.12.2017 18:07:02

Pas shpalljes së rezultateve për Komunën e Istogut, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë falënderuar istogasit për besimin e dhënë ndaj kandidatit të kësaj partie, për të parin e komunës, Haki Rugova.

Shefi i partisë, Isa Mustafa, ka thënë se në Komunën e Istogut LDK-ja ka garuar jo vetëm kundër AAK-së.

“Kemi garuar me një koalicion, që është përbërë nga AAK, PDK, VV, Nisma, Qeveria dhe kryeministri i Kosovës. Të gjithë i kemi mposhtur përnjëherë. Kjo është një fitore e madhe e kandidatit tonë dhe e LDK-së në Istog dhe në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka folur edhe për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, ku ka thënë se kjo qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë.

“Kanë marrë vendime të gabueshme, jokushtetuese dhe joligjore, Do të jetë në dëm të vendit që të lejohet një qeveri që merr vendime të tilla arbitrare, e që e ka për bazë odën dhe relikte tjera. Do të bisedojmë me grupin tonë parlamentar dhe kur të vlerësojmë se është momenti i duhur, bashkërisht do ta shqyrtojmë çështjen e mocionit. Kjo qeveri nuk do të qëndrojë gjatë, sepse e kemi një koalicion të paqëndrueshëm dhe të dëmshëm”, ka shtuar Mustafa.

Kandidati për të parin e Istogut, Haki Rugova, ka thënë se është i kënaqur me fitoren dhe se falëndëron istogasit për fitoren, duke shtuar se edhe kreu i LDK-së i ka qëndruar pranë këto ditë. Sipas tij, ai ka fituar kundër një koncepti të keq qeverisës dhe se “të gjitha partitë u bënë bashkë dhe hynë më një thes të cilit ne ia mbyllëm grykën”. Ai shpreh keqardhje që “qytetarët e Istogut u detyruan të dalin tri herë në zgjedhje, por të cilat në të gjitha radhët dëshmuan se kush është fituesi i garës”.