Mustafa ngushëllon Spanjën pas sulmit terrorist në Barcelonë

17.08.2017 23:49:46

Kryeministri në detyrë i vendit, Isa Mustafa, ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë, ku mbetën të vdekur 13 persona e 50 tjerë të plagosur.

Mustafa, me këtë rast, ka shprehur solidaritetin e popullit të Kosovës.

“Kosova qëndron pranë popullit spanjoll dhe të prekurve nga aktet terroriste, në këto çaste të vështira”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Pas sulmit në Barcelonë ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Grupi terrorist Shteti Islamik (ISIS) e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të kryer sot nëpërmjet një furgoni në qytetin e Barcelonës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasdite në Las Ramblas, njërin prej rajoneve më të frekuentuara në qendër të qytetit. Një kohë pas sulmit, policia tha se bëhet fjalë për ‘akt terrorist’.