Mustafa: Partnerëve evropianë iu kërkova mbështetje për bizneset, Kosovës i duhet qeveri e re

06.05.2020 17:29:16

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka njoftuar se ka marrë pjesë në Samitin-Videokonferencën e Zagrebit të Partive Popullore Evropiane për Ballkanin Perëndimor.

“Samiti i EPP-së reflektoi një përkushtim konkret të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në betejën për të mposhtur COVID-19, por edhe për zhvillimin dhe demokratizimin e mëtejmë si pjesë të demokracisë evropiane. Fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut ishin dhe mbeten preokupim i EPP-së”, ka thënë Mustafa.

“LDK i ka përcaktuar qartë orientimet e saj për një Kosovë proevropiane, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë alternativë, dhe zhvillimin e miqësisë së përhershme me SHBA”.

“Duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen që ka ofruar dhe premtuar për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën , në këtë kohë të vështirë, si kryetar i LDK-së, nga partnerët evropianë kërkova mbështetje të drejtpërdrejtë të sektorit privat të bizneseve, për të evituar rrezikun nga papunësia, që pastaj mund të reflektohet në qëndrueshmërinë buxhetore dhe likuidetin bankar”.