Mustafa takon eurodeputeten Lunacek, flasin për procesin integrues të Kosovës

31.10.2017 12:23:25

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim eurodeputeten Ulrike Lunacek, raportuese e deritashme për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Kryetari Mustafa shprehu mirënjohje për kontributin e madh të eurodeputetes Lunacek për Kosovën në kuadër të Parlamentit Evropian, për avancimin e proceseve euro-integruese, fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar, zhvillimin e vendit dhe avancimin e demokracisë.

“Eurodeputetja Lunacek është një prej miqve të mëdhenj të Kosovës e cila ka ofruar përkrahje të pazëvendësueshme për të gjitha proceset europianizuese në Kosovë dhe me gjerë në rajon”, tha kryetrari Mustafa.

“Ndërkaq, duke e njoftuar për proceset aktuale në Kosovë, kryetari Mustafa, veçoi përkushtimin e LDK-së për të mos lejuar shmangie nga rruga euro-integruese dhe perspektiva zhvillimore e vendit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Lunacek e falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen dhe bashkëpunimin e ofruar në vazhdimësi, duke vlerësuar përkushtimin e LDK-së për proceset euro-integruese dhe zhvillimore në Kosovë.

Në takim ishte i pranishëm edhe euro-parlamentari slloven Igor Soltes, i cili do të jetë raportuesi i ardhshëm për Kosovën në Parlamentin Evropian.