Mustafa: Trepça na bashkoi

08.10.2016 13:28:31

Pas miratimit të Ligjit për Trepçën, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar një pjesë të opozitës (AAK-në dhe Nismën) për kontributin e dhënë në miratimin e këtij ligji të rëndësishëm.

Mustafa tha se “Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin”, raporton Telegrafi.

Postimi i plotë i Mustafës:

“Dje kaluam një ditë të rëndësishme destinuar Trepçës dhe ardhmërisë së saj. Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin. Një kontribut shumë të mbarë e dhanë edhe deputetët e AAK-së dhe të Nismës. Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin në një proces demokratik.

E përgëzoj Kuvendin, i cili 17 vjet pas çlirimit arriti, që së bashku me Qeverinë, t’i jap drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës.

Akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve” (sic.), ka shkruar Mustafa.