Myftia i Tiranës deklarohet për “mbulimin” e Skënderbeut

01.09.2017 20:02:04

“Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun. Ai është Heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit”.

Kështu u shpreh sot në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Teksa i është kërkuar një sqarim për “mbulimin” e Skënderbeut me ekran gjatë faljes së namazit, Gurra tha se kanë qenë më së shumti kushtet teknike që kanë çuar aty, por pa e pasur si qëllim.

“Unë nuk jam marrë shumë me pjesën teknike, toni e ndriçim, këtë herë, por nga herët e tjera, di që forma e sheshit kërkon që ekranet “led uoll” të kenë një farë pjerrësise në mënyrë që të shihen në të gjitha anët e sheshit”, tha Gurra për “Gazetën Shqiptare”.

Myftiu i Tiranës shprehu keqardhjen për mënyrën si është perceptuar dhe rrëfeu se “unë kam marrë kërcënime me jetë” për shkak të imazheve që qarkullojnë dhe perceptimit të krijuar se myslimanët e mbuluan monumentin e Skënderbeut gjatë faljes se mëngjesit.

“Për këtë arsye, dua të jap një sqarim publik për gjithë vëllezërit katolikë që janë të ndjeshëm. Montimi i gjithë asaj skenës aty, e para punës është bërë natën. Çka do të thotë se është më e vështirë ta shohësh dhe më e vështirë të punohet. Teknikët e kanë gjykuar siç po gjykohet atë strukturë”. Myftiu kujton se në disa koncerte të bërë në sheshin e ri, praktikisht Skënderbeu është fshehur dhe asnjëherë ska qenë e qëllimtë