Nagavci kërkon nga LDK të reagojë: Thaçi e kërcënoi dhe shantazhoi gruan më të votuar në Kosovë

10.06.2020 09:40:47

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se deputetë dhe krerë të LDK-së po e ulin kokën ndaj deklaratave të Presidentit Hashim Thaçi për Kryetaren e Kuvendit dhe nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani.


Sipas Nagavcit kohëve të fundit është parë një shprehje  e theksuar e mllefit, gjuhë e urrejtjes, kërcënime, shantazhime e shpifje nga ana e presidentit Thaçi.

Nagavci ka thënë se në kohët më kritike për vendin që nga pas lufta, deputetë e  krerë në LDK edhe një herë u bënë bashkë me Pesidentin Thaçi dhe po ecin pas tij.

Reagimi i plotë:

Kush tjetër do të pranonte një President si Thaçi?!

Në paraqitjet e tij të shpeshta në konferenca për media e në studio televizive, asnjëherë nuk kemi pasur rastin të shohim Presidentin Thaçi brenda mandatit të tij kushtetues, si person që përfaqëson unitetin e popullit e aq më pak si një person që mund të frymëzojë, që na impresionon së paku një herë me njohuritë e tij, që ka një vizion për vendin apo se përkrah kauza të ndryshme në të mirë të shoqërisë.
Asnjëherë të vetme, as edhe një rast

Krejt çfarë kemi parë nga ky person është shprehje e mllefit, gjuhë e urrejtjes, kërcënime, shantazhime e shpifje. Arsyet për sjellje të tilla mund të jenë të shumta, por gjithnjë është e pranishme frika e tij, frika për veten, për të kaluaren dhe të ardhmen e tij. Ky njeri ka shumë për të fshehur, ka shumë për të humbur, andaj dhe s’ka më as masë, as turp e as kufi.

Mbrëmë Presidenti Thaçi kërcënoi e shantazhoi Kryeparlamentaren Osmani, gruan më të votuar. Dhe ashtu siç bën gjithnjë, pasi i mungojnë argumentet dhe aftësia për të diskutuar në mënyrë parimore ai shpif e shpërndan vrerin e tij rreth të tjerëve, duke u munduar të godas në familje.

E ditur botërisht se deputetë e disa krerë të LDK-së e bënë Thaçin President, e ditur se ata i mundësuan të sjellë në këtë gjendje vendin, madje jo në pak raste ishin vet pjesë e këtij degradimi. Edhe tani, në kohët më kritike për vendin që nga pas lufta, deputetë e këta krerë në LDK edhe një herë u bënë bashkë me Pesidentin Thaçi dhe po ecin pas tij, andaj dhe ulin kokën edhe pas deklaratave të ulëta e kërcënimeve që i bën Presidenti ndaj nënkryetares së tyre, ndaj Kryeparlamentares.

Por ne s’duhet e s’bën të harrojmë, s’duhet e s’bën të heshtim. Shantazhimi është i papranueshëm, ashtu si dhe çfarëdo projekti i dëmshëm për vendin.

Ky nuk është Presidenti im. S’ka qenë asnjëherë