Naim Maloku ende s’i është bashkuar AAK-së, por preferon vetëm AAK-në!

03.10.2016 20:02:44

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se Naim Maloku, dikur nënkryetar i saj, është rikthyer në këtë parti. Kështu deklaron Ali Berisha, Sekretar Organizativ i AAK-së në një deklarim për lajmi.net.

“Para disa ditësh, z. Maloku ishte në AAK dhe pati takim me kryetarin Ramush Haradinaj. Sipas asaj që është biseduar në takim, z. Maloku është rikthyer në AAK”, thotë Berisha për lajmi.net.

“Në atë takim ka pasur edhe persona të tjerë që mund ta dëshmojnë këtë”, shpjegon Berisha, duke shtuar se ata në këtë mënyrë e kanë kuptuar rezultatin që ka dalë nga ai takim.

“AAK-ja konsideron se z. Maloku është rikthyer në parti, bazuar në atë që është biseduar dhe është thënë në atë takim”, thotë Berisha për lajmi.net. “Kështu e ka kuptuar edhe z. Ramush Haradinaj”.

Ali Berisha, Sekretar Organizativ i AAK-së

“Megjithatë, varet nga z. Maloku se çfarë do të bëjë prandaj më mirë se ai që mund të flasë për këtë, nuk mundet askush”.

Por vetë Naim Maloku është në mëdyshje në lidhje me këtë çështje duke dhënë një version të mjegulluar nëse është rikthyer apo nuk është rikthyer në AAK.

“Kam raporte te mira me AAK-në dhe  kam komunikim shumë të mirë me ta. Por që të rikthehem në strukturën partiake, ende nuk kam menduar”, thotë Maloku për lajmi.net.

Ai nuk e mohon se ka takime të shpeshta me zyrtarë e drejtues të AAK-së. “Kam pasur tri apo katër takime por nuk di si të rikthehem sepse nuk kam marrëveshje”, shpjegon Maloku.

“Po e ndjej vetën mirë kështu siç jam, i lirë e pa angazhime. Por edhe komunikim të mirë kam me AAK-në”, thotë ai, pa dashur të japë përgjigje të prerë nëse është apo nuk është pjesë e AAK-së.

Ish nënkryetari i AAK-së, megjithatë e pranon se nuk ka pasur ndonjë ofertë nga Haradinaj që të kthehet në AAK si nënkryetar i partisë, ashtu siç ishte dikur para se t’i bashkohej Behgjet Pacollit të AKR-së.

“Nuk ka ndodhë ajo ofertë e nuk mund të them asgjë”. Ai nuk jep përgjigje të qartë edhe kur pyetet nga lajmi.net nëse do t’i bashkohej AAK-së sikur t’i jepej pozita e nënkryetarit.

Naim Maloku, ish nënkryetar i AAK-së, e tani në mëdyshje për t’iu rikthyer kësaj partie

“Nuk di çfarë të them, unë ata i mbështes”, thotë Maloku, i cili megjithatë është i gatshëm ta ndihmojë AAK-në, nga pozita ‘e të pavarurit’.

“Mbështetje i jap AAK-së e mund të jem edhe krah tyre në fushatë pasi asnjë nuk e ndjej me afër se AAK-në”.

Kjo pasi Maloku thotë se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë konflikt në AAK dhe prandaj i mbështetë.

“Kam qenë nënkryetar e kam dal me projekt që të kishte koalicion AAK-PDK. Por projekti im nuk rezultoi i suksesshëm dhe dola”, thotë Naim Maloku, dikur edhe deputet në Kuvendin e Kosovës nga AAK-ja.

“Më afër se ata nuk e kam askënd”.