Nasim Haradinaj, shtrembëron të vërtetën për ministrin e Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi

06.11.2018 13:58:31

Nga Rexhep Kastrati

Në një emision që ishte ideuar për të bërë atentat mbi të vëtrtetën për luftën dhe paqen, për vrasjet politike etj., Nasim Haradinaj ka shtrembëruar të vërtetën për bashkëpunimin e ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi me SHP të UÇK-së, përkatësisht me Xhavit Halitin dhe të tjerë si ai.

Në fakt, Nasimi e di mirë se ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, më 21-23 maj 1998,në Oslo, ka nënshkruar marrëveshje me Përfaqësuesin e Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Demaçin, me të cilën parashikohej që formacionet ushtarake në Kosovë të bashkoheshin në një luftë të përbashkët kundër pushtuesit serb nën emrin e përbashkët Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK – Pika e parë e marrëveshjes), në kuadër të të cilit do të ishte UÇK, Mbrojtja Territoriale, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Aviacioni.

Me këtë marrëveshje ishte rregulluar edhe strukura e Shtabit të Përgjithshëm, gradimi, ristrukturimi dhe paraqitja publike e UÇK-së, që nuk mund të bëhej pa u korrigjuar nga ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi.

Pra, ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi nuk kishte ndonjë bashkëpunim tjetër, pos atij bashkëpunimi që parashikonte marrëveshja e Oslos. Së këndejmi edhe bashkëpunimi me Xhavit Halitin dhe të tjerë, nuk ishte bashkëpunim nominal, por përfaqesues.

E vërteta është se marrëveshja e Oslos nuk ishte pranuar dhe nuk ishte zbatuar nga LPK, LKÇK dhe në përgjithësi nga ata që kishin manipuluar dhe monopolizuar UÇK-në dhe e përdornin atë për interesa personale, grupore dhe për zbatim interesash kundërshqiptare.

Dhe një ndër qëllimet ka qenë që Kosovës t’i hiqej emërtimi Republikë, pra të rrënohej rendi politiko-institucional i krijuar nga Kosova që nga viti 1990, e që ishte synim i qartë i Serbisë, pasi që ajo nuk mund të pranonte tjetër, pos Kosovës së pushtuar, ose ndarjes së saj.

Kjo është dëshmuar jo vetëm me emrëtimin e UÇK-së, pa emërtimin Republikë, pra jo UÇRK, po UÇK – jo Ushtria Çlirimtare e Republikës së Kosovës, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo Qeveria e Përkohshme e Rpublikës së Kosovës – QPRK, por Qeveria e Përkohshme e Kosovës, jo Ministria e Mbrotjes e Republikës së Kosovës – MMRK, por Ministria e Mbrojtjes e Kosovës – MMK, jo Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, por Forcat e Armatosura të Kosovës – FAK.

Vendosmëria e ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet për të depolitizuar luftën, për të institucionalizuar formacionet ushtarake dhe për të bashkuar shqiptarët në një front të përbashkët, binte ndesh me misionin e linjës së Tiranës/Kretës në krye me Hashim Thaçin, të caktuar në takimin Nano-Milosheviq në Kretë, më 1997, prandaj edhe ishte bërë pengesë e fortë që duhej të eliminohej.

Vrasja e ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi vetëm pak muaj pas marrëveshjes së Oslos, së këndejmi është vrasje për të penguar depolitizimin, profesionalizimin dhe institucionalizimin e UÇK-së dhe të të gjitha foracioneve që ishin në terren, gjë që e kam thënë edhe para 20 vitesh.

Fotografia e Rexhep Kastrati

Sigurisht, sikurse asnjë vrasje tjetër politike, as vrasja e minsitrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi nuk është aq e thjeshtë, por është vrasje e ndërlikuar e ku janë të përfshirë shumë faktorë dhe aktorë, pa përjashtuar edhe ata brenda apo rreth Ministrisë së Mbrojtjes, brenda apo rreth FARK-ut, e për të cilët do të shkruaj në një rast tjetër.