NATO: Planet ambicioze të Shqipërisë për t’u forcuar ushtarakisht, le mbrapa shtete të fuqishme

11.04.2017 11:30:34

Ekonomikisht, Shqipëria qëndron pas vendeve të Aleancës Atlantike, por edhe pse e dobët, ajo ka rritur peshën e shpenzimeve për ushtrinë si përqindje ndaj PBB-së.

Vendi ynë që nga viti 2009 ka njohur shpenzime ushtarake në rritje. Edhe pse në terma absolutë, Shqipëria nuk është një kontribuuese e madhe, përpjekjet e saj janë të konsiderueshme sa i përket raportit mes shpenzimeve dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjithashtu, në katër vitet e ardhshme, Shqipëria parashikon që të përmirësojë edhe aspektin e trajnimit, gjë që do t’i sigurojë Shqipërisë më shumë se 1,000 forca të afta për të operuar dhe për t’i shërbyer NATO-s.

Studimi tregon se planet e Shqipërisë janë ambicioze në fushën e mbrojtjes dhe se do të duhet më shumë sesa aspekti financiar për t’i përmbushur ato. Sipas parashikimeve, Shqipëria do të arrijë shifrën 2% të shpenzimeve ndaj PBB-së deri në 2025-n.

Por, për Shqipërinë, angazhimet në NATO janë në formën e kontributit, por edhe të detyrueshme.

Kështu për periudhën 2008-2018, angazhimet e detyruara ishin në total 49, nga të cilat 26 janë të detyrueshme për të gjithë Forcat e Armatosur, 14 janë për njësitë Tokësore, 4 për ato Detare dhe 5 për Ajrore.

Shqipëria, sipas raportit i ka hartuar këto plane mbi baza realiste, si dhe për të qenë në proporcion me vendet e tjera. Ndryshe nga Shqipëria (1,000), p.sh., Kroacia ka 4,000 forca të gatshme ushtarake.