NATO-s i kërkohet të rishikojë planin paqeruajtës në Kosovë

16.02.2017 14:05:51

Shqipëria dhe Kroacia i kanë kërkuar NATO-s që të rishikojë planet për misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, duke thënë se retorika nacionaliste e politikanëve serbë kërcënon të destabilizojë rajonin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë tendosur muajin e kaluar, kur Kosova ka ndaluar një tren të nisur nga Beogradi, të hyjë në territorin e saj.

Treni, me mbishrimin “Kosova është Serbi” dhe simbole kishtare mesjetare, është parë si provokim në Prishtinë.

Sipas Beogradit, Kosova, me ndalimin e trenit, ka treguar se dëshiron luftë me Serbinë.

Mimi Kodheli dhe Damir Krstiqeviq, ministra të Brendshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë, të dyja vende anëtare të NATO-s, i kanë shkruar sekretarit të përgjithshëm të aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, duke dënuar “retorikën nacionaliste të politikanëve serbë dhe aksionet konkrete në kufi”.

Ministrat kanë thënë se këto veprime synojnë “të shkelin sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të destabilizojnë situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën që ka lëshuar zyra e ministres Kodheli, të cilën e transmeton agjencia Reuters.

“Të dy ministrat kanë kërkuar që plani operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë të rishikohet, pas zhvillimeve të fundit atje”, thuhet në deklaratë.

Deklarata nuk thotë se në çfarë duhet të çojë rishikimi i planit operacional.