Ndarja e Kosovës, përplasje Berisha-Thaçi. Akuza për tradhti e tregti me Serbinë

04.08.2018 18:39:25

Teksa mediat kosovare po provojnë se ristrukturimi i kufijve me Serbinë nuk është më thjesht një tezë e pavend, në debatin e ashpër për këtë çështje është përfshirë sot edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka pritur në zyrën e tij një delegacion të Luginës së preshevës.

Edhe pse jo duke iu referuar konkretisht njëri-tjetrit, në distancë midis Berishës dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka shpërthyer një betejë akuzash lidhur me demarkacionin me Serbinë. Herët në mëngjes Berisha shkroi se “Lugina e Preshevës nuk mund të përdoret për tregti”.

“Shqiptaret e komunave te Lugines kane nevoje per garantimin e te drejtave te tyre ne përputhje me konventën Evropiane të të Drejtave te Njeriut, investime dhe zhvillim dhe jo qe te përdoren për interesa të Serbisë për tregti territoresh. Është fakt i pamohueshëm se Serbia gjithnjë ka dashur t’u perdori si plaçkë tregu dhe për shkëmbim territoresh. Personalisht une kam qene dhe jam gjithnje per paprekeshmerine e kufijve te Kosoves dhe çdo lloj coptimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kunder çdo diskutimi per keto çeshtje”, shkruan ish-kryeministri në Facebook.

Sipas tij “t’i njohesh te drejten Serbise, fuqise se humbur nga lufta, te paraqese pretendime territoriale ndaj Kosoves eshte gabim i madh dhe historik, eshte ne nje fare menyre nje zhberje e qellimit dhe rezultatit te luftes dhe kapitullimit te Serbise”.

“Kjo eshte edhe nje zhberje e Kosoves te çliruar ne vitin 1999, te njohur ne dokumentat nderkombetare dhe nga mbi 115 shtete perfshi ketu 95% te vendeve te lira te botes. Republika e Kosoves eshte shpallur dhe njohur si shtet i pavarur me kufijte e saj aktual nderkombetar ndaj Serbia nuk ka asnje te drejte dhe nuk duhet t’i njihet asnje e drejte per te pretenduar qofte edhe nje pellembe toke te territor te Kosoves”, nënvizon Berisha.

Por Berisha vijoi edhe më tej “sulmin” e tij ndaj Thaçit, duke thënë se kjo është një “perpjekje destabilizuese e Serbisë”, pasi mbështetet mbi idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe ne kurriz te Kosovës.

“Ne rajonin tone, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e nje precedenti qe kerkojne serbet ne Mitrovice do minonte paqen dhe stabilitetin ne mbare rajonin. Pretendimi i Serbisë per tre Komunat e Mitrovicës nuk ka te beje aspak me garantimin e lirive dhe te drejtave te serbeve por ka te beje vetëm me vazhdimin e idese se serbomadhise dhe eshte pretendim territorial ndaj nje shteti sovran te pavarur me qellim zhberjen e Kosoves! E verteta eshte se ne kete rast Serbia kerkon te beje tregti, te perdore si plaçke tregu territoret shqiptare pasi ajo eshte e shqetesuar nga zgjimi gjithnje e me i madh i vetedijes kombetare tek banoret shqiptar te Pazarit te Ri”, thekson ish-kreu i ekzekutivit shqiptar.

Duke qenë se projekt-ideja për korrigjim kufijsh ka Presidentin Thaçi i ithtar të saj, ky i fundit ju përgjigj ashpër Berishës po në Facebook.

Duke iu referuar termit ndarje që është përdorur nga Berisha në postimin e tij, Thaçi shkruan se s’ka diçka të tillë por “bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore”.

“Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB. Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi. Për procesin e dialogut dhe marrëveshjen paqësore, Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë rrugëtim të përbashkët, Kosova nuk do ta ketë asnjë mëdyshje, sepse liria dhe pavarësia e Kosovës, është produkt i sakrificës sonë dhe i mbështetjes euroatlantike”, shkruan Thaçi.

Por ai “thumbon” Berishën, duke i kujtuar se “Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike”. Më tej madje e akuzon për tradhëti, pasi sipas tij ka strehuar Arkanin dhe ka furnizuar me armë Millosheviçin.

“Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste”, nënvizon Thaçi në reagimin e tij.

Përgjigjia e Thaçi ashpërsohet më së tepërmi në fund, kur Presidenti thekson se “ata që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës”.

“Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, përfundon reagimin e tij Thaçi.