Në 19 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, vajza e tij Rudina e përkujton të atin si deputete e PD

13.09.2017 09:54:05

Azem  Hajdari: Në Kuvend plotësoj dëshirën e babait, si zë i fortë opozitar do të mbroj interesat e Shqipërisë

Ceremoniali/Ish kryeministri Berisha:Të çojmë në vend idealet demokratike për të cilat Azem Hajdari dha jetën

Dje është përkujtuar 19 vjetori i ndarjes nga jeta të heroit të demokracisë Azem Hajdari dhe ky moment ka lënë mbresa të forta tek vajza e tij Rudina, e cila për herë të parë ka folur para memorialit të babait të saj në Tiranë si deputete e partisë që ai krijoi. Nisur nga detyra e re si dhe nga një rastësi domethënëse, Rudina Hajdari është shfaqur shumë e prekur në fjalën e saj. Ajo u shpreh se bashkimi për të nderuar figurën dhe vlerat demokratike të Azem Hajdarit, tregon se Partia Demokratike do të ecë përpara e unifikuar drejt krijimit të Shqipërisë me vlera. “I nderuar z. Kryetar, i nderuar z.Berisha, të nderuar familjarë të z. Besim Çerja, të nderuar vëllezër e motra, të nderuar miq dhe kolegë të mi të Partisë Demokratike! Jam shumë e nderuar, ndihem shumë e prekur sot, sepse përveçse ne kujtojmë liderin historik të PD-së, personin, figurën e lartë që solli pluralizmin në Shqipëri, është emocion i veçantë për mua se kujtojmë gjithashtu babain tim. Megjithëse kanë kaluar 19 vjet nga ndarja e tij, ne prapë jemi të bashkuar më shumë sesa kurrë të vlerësojmë dhe të ngremë larg figurën e tij, vlerat e tij demokratike, partinë që ai solli me vlerat më të vërteta, më të moralshme në këtë vend. Ne jemi akoma më të bashkuar që të çojmë PD-në përpara dhe të tregojmë që ne meritojmë një Shqipëri më me vlera. Më falni se siç e shikoni unë jam e emocionuar dhe për një fakt tjetër: Unë sot do të flas në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e Partisë Demokratike. Dhe do të flas pikërisht në këtë ditë. Kjo ishte një koinçidencë, por është besoj dhe një dëshirë e tij dhe unë ju siguroj se do të jem një zë i fortë i opozitës shqiptare, do të mbroj interesat e Shqipërisë dhe kombit tim”, u shpreh e bija e Azem Hajdarit.

Basha: Azem Hajdari është simbol i vlerave dhe luftës kundër veseve të pushtetit

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, familjarë dhe dhjetëra njerëz të thjeshtë kanë përkujtuar dy heronjtë e demokracisë, Azem Hajdari dhe Besnik Çerja në 19 vjetorin e vrasjes së tyre. Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se Azem Hajdari mbante gjallë forcën e nevojshme për të luftuar pa kompromis padrejtësinë, vesin dhe krimin qeveritar. “Jemi mbledhur sot si çdo 12 shtator për të përkujtuar tribunin e Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarin dhe mikun dhe bashkëluftëtarin e tij Besnik Çerjen. Vit për vit, ndërsa dielli i demokracisë shndrit apo fshihet pas reve të zeza të krimit dhe korrupsionit, ne vijmë këtu jo thjesht për të përkujtuar dhe ndarë së bashku dramën e 12 shtatorit, por për të celebruar kujtimin, forcën, kurajën e Azem Hajdarit dhe asaj ç’ka ai përfaqëson: luftën pa kompromis, luftën kundër vesit, krimit dhe drogës në pushtet, bashkimin ndaj vlerave më të mira dhe shumë e më shumë se kaq, mirënjohjen dhe krenarinë, sensin e krenarisë që na bashkon dhe bashkon përjetë. Vijmë këtu përulësisht dhe vendosmërisht”, u shpreh Basha.

Ish kryeministri Berisha:Të çojmë në vend idealet demokratike për të cilat Azem Hajdari dha jetën

Në ceremoninë përkujtimore për Azem Hajdarin ka mbajtur fjalën e tij dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se tribuni i lirisë është njeriu që ka bërë si individ më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Berisha theksoi se Azem Hajdari është një burim frymëzimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët duhet të vazhdojnë rrugën që ai nisi.  “I nderuar zoti Kryetar! E nderuar zonja Hajdari! Të dashur familjarë të heroit, tribunit të lirisë, Azem Hajdari! Të sivllaut të tij në betejë, Besim Çerja! Sot ne kujtojmë me dhimbje të madhe, aktin barbar të kryer nga regjimi, ekzekutimin para selisë së PD të tribunit të lirisë Azem Hajdarit, njeriut që ka bërë si individ më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Ishte gjoksi i tij, që ngrihej më 8 dhjetor në rrugët e Tiranës përballë barrikadave të autoblindave, të bataljoneve të policisë, ushtrisë, që solli çeljen e dyerve bashkë me studentët e tjerë të lirisë për shqiptarët. Azem Hajdari nuk është vetëm një lider i historisë. Azem Hajdari është një burim i madh frymëzimi për çdo shqiptar, për çdo të ri, për çdo të re. Frymëzimi i tij është të qëndrojmë të pamposhtur, është të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, është të vazhdojmë betejën, dhe sot, më të vendosur se kurrë për idealet për të cilat ai flijoi jetën e tij”, tha ish-kreu i ekzekutivit. Sipas Berishës duhet të jetë vizioni që gëzonte Azem Hajdari, elementi kryesor që duhet të na japë vendosmërinë e nevojshme për realizmin e idealeve për të cilat ai ra. “Thirrja ime është që, le të na frymëzojë guximi, vizioni, trimëria e tribunit tonë legjendar, për të realizuar sa më shpejt, sa më të vendosur idealët për të cilat ai ra, dhe që sot janë në një vështirësi shumë të madhe. Unë kam besim se ne do t’ia dalim. I përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit, tribunit të lirisë së shqiptarëve, sivllaut të tij në betejë, Besim Çerjes”, përfundoi Berisha.

Këlliçi: Pengmarrësit e demokracisë t’i luftojmë duke mësuar nga brezi i Azemit

Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë përkujtimore në nder të Azem Hajdarit, kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratik, Belind Këlliçi në një postim në Facebook ka shprehur nderimet për figurën e heroit të demokracisë. Këlliçi shprehet se veprat e brezit të Azemit për t’i hapur rrugën pluralizmit, janë shembulli i përsosur që duhet të ndjekin të rinjtë demokratë sot për të rrëzuar qeverinë që bashkë me bandat e krimit ka marrë peng demokracinë. “Sot duhet të jemi kokëulur para Azemit, jo vetëm nga nderimi për veprën e tij, por edhe nga turpi. Para 19 vitesh trashëgimtarëve të diktaturës komuniste u duhej ta vrisnin deputetin e PD se ai nuk tradhëtontë idealet, ndërsa sot e bëjnë më lehtë, e blejnë me para, e kapin me presion. Blerja e votave të demokratëve në favor të Gramoz Ruçit është një kambanë alarmi për çdo demokrat, për çdo njeri të lirë të këtij vendi. Si kryetar i FRPD-së ndjej detyrimin të theksoj se të rinjtë demokratë gjenden para një sfide edhe më të vështirë. Sot duhet të zgjedhim të jemi robër të krimit ose të përballemi me këdo që përdhos lirinë dhe dinjitetin tonë. Për ta luftuar këtë të keqe, kapjen e demokracisë duhet të mësojmë pa më të voglin hezitim nga brezi i Azemit. FRPD ka detyrimin të përballet për një demokraci të vërtetë, që nis nga PD e shtrihet kudo në shoqerinë tonë. Nderim përjetë Azem Hajdarit”, shkruan kreu i FRPD