Rina Hajra aktore, skenariste dhe producente e filmit “My Sekret War” (“Lufta ime e fshehtë”), është një vajzë e re shqiptare, e cila gjatë luftës ishte detyruar që së bashku me familjen, si mijëra shqiptarë të tjerë, ta lëshonte Kosovën për t’i shpëtuar gjenocidit serb dhe kishte ardhur refugjate në SHBA.
Vite më parë ajo ka mbaruar studimet për aktrim dhe për drejtësi (të dyja njëkohësisht), në Universitetin Shtetëror të Arizonës (Arizona State University). Gjatë katër viteve ajo ka marrë bursë të plotë nga Universiteti, pasi që në të gjitha lëndët ishte vlerësuar me notën më të lartë A dhe A+. Temë diplome në drejtësi ka pasur Gjykimin e Millosheviqit në Hagë, ndësa për temë diplome në aktrim ka shkruar dhe ka vënë në skenë dramën “Puhiza dhe Toka”, kushtuar luftës së Kosovës dhe në këtë dramë ka luajtur edhe rolin kryesor. Drama ishte vlerësuar shumë nga profesionistët dhe ishte pritur jashtëzakonisht mirë nga spektatorët.
Pas diplomimit, Rina, e cila ka pasion filmin, kishte vendosur që në bazë të kësaj drame ta shkruante skenarin e filmit “My sekret War” (“Lufta ime e fshehtë”). Pothuaj gjysma e filmit është xhiruar dhe së shpejti do të xhirohen edhe skenat e mbetura dhe filmi, shpreson autorja, do të jetë gati për t’u shfaqur mbrenda 2-3 muajsh.
Filmi është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta bënte si fëmijë i luftës. Filmi fokusohet në psikologjinë e njeriut, se si e gjen forcën që t’i tejkalojë tragjedinë e sfidat dhe çfarë pasoja të tmerrshme shkakton lufta. Rina do që ky film t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqesorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe t’u japë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë të këqijat në jetën e tyre.

Filmi është një testament i fuqishëm për elasticitetin njerëzor dhe fuqinë e faljes. Është një film i ndërgjegjes shoqërore që shqyrton temat e mizorisë njerëzore, të refugjatëve dhe çfarë do të thotë të kesh një shans të dytë në jetë.
Sinopsisi i filmit është ky: një vajzë e pafajshme ballafaqohet me mizoritë e luftës. Në momentet e terrorit, ajo zbulon një sekret të dy ushtarëve mizorë.









































