Në buxhetin e vitit 2018 përfshihen edhe pagesat për viktimat e dhunës seksuale

26.10.2017 17:30:42

Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Ministria e Financave të cilën ai e drejton, është e përkushtuar në marrjen e veprimeve për t’i adresuar të gjitha kërkesat dhe sfidat me të cilat përballen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

 

Sipas një njoftimi të dërguar duke qenë se këto viktima janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë në Kosovë, kjo Ministri njofton se trajton këtë kategori në kuadër të kërkesave me prioritetin më të lartë duke konfirmuar se nga 2018-ta kjo kategori fillon të marr pensione.

”Bedri Hamza është Ministri i parë i Financave që me qëllim të mirë ka kërkuar që ky proces të finalizohet sa më shpejt , me qëllim që kjo kategori ti përfitojë sa më shpejt që është e mundur pagesat ashtu siç edhe parashihet me ligj, ku javën e parë të marrjes së mandatit ministri Bedri Hamza ka bërë edhe ndarjen e mjeteve nga rezerva e Qeverisë për këtë kategori për pagën e mjeteve financiare”, thuhet në komunikatën e dërguar.

Ministri i Financave për herë të parë në vendin tonë ka vendosur se duke filluar nga janari i vitit 2018 kjo kategori të përfshihet në kuadër të Buxhetit të rregullt, ku përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pagesat për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë të pranohen në baza të rregullta.

Ky vendim është marrë sipas Ministrit Hamza, me qëllim që kjo kategori e çmuar dhe e ndjeshme e shoqërisë tonë të trajtohet me dinjitet dhe respektin më të lartë.