Në cilën fazë janë përgatitjet për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare?

31.07.2016 12:10:50

Të gjitha përgatitjet janë bërë sa i përket organizimit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqipe i cili pritet të mbahet nga 15 deri më 26 gusht.

Drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, në një intervistë për Kosovapress, ka thënë se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe tashmë po pritet 15 gushti kur edhe tradicionalisht fillon Seminari.

Sipas tij, deri më tani janë caktuar temat bosht, është bërë përzgjedhja e emrave që do të paraqiten me punimet e tyre, si dhe është bërë përzgjedhja e studentëve që do të vijnë për të ndjekur kurset dyjavore.

isa-mustafa-seminari-i-gjuhes...Sa i përket temave bosht të Seminarit, Paçarizi ka thënë se në fushën e gjuhësisë ku temë boshte është: “varietetet e Shqipes”, do të bëhet përpjekje që të mblidhen sa më shumë materiale sa i përket varieteteve të shqipes në mënyrë që të dihet se çka duhet të ndërmerret në rast të shqyrtimit eventual të standardit të shqipes.

“Temat e sesioneve tradicionale në të cilat bënë pjesë nga viti i kaluar tashmë tradicionalisht edhe sesioni i kulturologjisë janë në gjuhësi, në gjuhësi tema është “varietetet e shqipes”, në letërsi tema është “Tjeti në letërsinë shqipe” dhe në fushën e kulturologjisë është ‘media në epokën e internetit”, kemi besuar që janë tema jo vetëm ku mund të jepen shumë rezultate por janë tema edhe mjaft aktuale. E dimë që kohët e fundit ka pas shumë diskutime për shqipen standarde, për varietetet e shqipes dhe ne po përpiqemi që të mbledhim më shumë materiale sa u përket varieteteve të shqipes për të parë se cila është gjendja, për ta regjistruar gjendjen e shqipes sot dhe për të parë se cilët janë hapat të cilat duhet ndërmarrë më tuje në rast e shqyrtimit eventual të standardit të shqipes, do me thënë për ti furnizu forumet e tjera, forumet e mëtutjeshme ndoshta edhe më të larta apo të ngjashm e lidhur me shqipen dhe gjendjen e  shqipes sot”, ka deklaruar ai.

Kurse, sa i përket fushës së Letërsisë Shqipe, ku temë boshte është “Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe”, Paçarizi ka thënë se në bazë të kumtesave të pranuara deri më tani, shihet qartë se do të jetë një sesion shumë frytdhënës i letërsisë.

“Në fushën tjetër, në letërsinë shqipe, mendoj se pjesa e këshillit drejtues të letërsisë ka konsideruar se është një temë shumë interesante dhe aktuale, tjeti gjithmonë ka qenë shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe besoj që kumtesat të cilat na kanë arritur, abstraktet janë një garanci që sivjet do të kemi një sesion shumë të fortë të letërsisë, ndonëse shumica e atyre që janë paraqitur janë ndalë kryesisht tek veprat e Kadaresë dhe të shkrimtarëve tjerë. Ndërkaq çka me thënë për temën “Media në epokën e internetit” kur media aktualisht është në epokën e internetit por gjithçka lidhur me medien po zhvillohet në këtë kuptim në këtë sens, si me thënë ripozicionimi i medies, ndryshimi i skemës mediale, paraqitja e medieve të reja janë arsye të mjaftueshme për ta trajtuar mbi baza shkencore këtë fenomen i cili është shfaqur jo vetëm në Kosovë por në gjithë botë n”, ka thënë drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi.

Ndërkohë, sa i përket pjesëmarrësve të Seminarit, Paçarizi ka thënë se grupi përzgjedhës është përpjekur që pjesëmarrja të jetë sa më gjithëpërfshirëse sidomos sa i përket konkurrimit për pjesëmarrje në kurset e gjuhës shqipe.

Sipas Paçarizit, në pjesën e kurseve, ku studentë nga mbarë bota vijnë në Kosovë për ta mësuar gjuhën shqipe nëpërmjet kurseve dyjavore, janë përzgjedhur rreth 120 kursistë.

Nga ana tjetër, sa i përket pjesëmarrjes në pjesën e paraqitjes së kumtesave shkencore, Paçarizi ka thënë se këshilli për përzgjedhjen e kumtesave është përpjekur që kumtesat të jenë sa më të përafërta me temat boshte.

“Në pjesën e studiuesve këtu do të jetë një numër mjaft i madh, edhe këtu kemi qenë gjithëpërfshirës dhe kemi pas kujdes që shembull tek temat boshte temat të jenë në kuadër të temave bosht të sesionit, i kemi pranuar ata pastaj jemi mbështet në abstraktet se çfarë abstrakte kanë dërguar, çka premtojnë ato punime në bazë të abstrakteve si dhe ka një numër të madh të referimeve por edhe ligjëratash e tryezash të cilat organizohen përgjatë seminarit. Ajo për të cilën ne jemi përpjekur të kemi pak më shumë kujdes ka qenë seleksionimi i punimeve që do të paraqiten e një seri seleksionimesh do të bëhet me rastin e  botimeve sepse tashmë revista e seminarit është pranuar nga Senati i UP-së si revistë ndërkombëtare dhe sigurisht që kjo neve na obligon që kriteret t’i ngrisim në nivele pak më të larta”, ka deklaruar Paçarizi.

Përveç pjesëmarrjes së albanologëve dhe studiuesve tjerë nga gati e gjithë bota, sivjet për herë të parë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, do të marrin pjesë një grup prej rreth 20 arbëreshëve nga Zara.

Përveç kumtesave dhe ligjëratave në gjuhën shqipe të cilat janë organizimi kryesor i Seminarit, sivjet në kuadër të aktiviteteve të ndryshme do të organizohen edhe ligjërata nga pjesëmarrës të ndryshëm si: Leondaro Svojin, Sabri Hamiti, Bardh Rugova etj. Pastaj aktivitete kulturore, ekskursione si vizita në Shkodër, rezidencën e Ndre Mjedës, do të organizohet një tryezë me Universitetin e Vjenës, një tryezë për 400 vjetorin e Shekspirit, etj.