Në ditën ndërkombëtare të gruas, Vetëvendosje kërkon debat në Kuvend për dhunën në familje

01.03.2018 17:41:15

Për 8 mars, ditën ndërkombëtare të gruas, deputetët e Vetëvendosjes ka kërkuar debat në Kuvend lidhur me dhunën në familje dhe përgjigjen institucionale ndaj saj.

Vetëvendosje ka dorëzuar sot kërkesën për debat në Kuvend, ndërsa si rezolutë të këtij debati subjekti politik në fjalë,  thotë se ka përfshirë kërkesa të cilat për një kohë të gjatë organizata dhe aktiviste nga shoqëria civile i kanë adresuar gjatë punës së tyre.

R E Z O L U T Ë

Rishikimi dhe plotësimi i Ligji nr. 03/l-182 për mbrojtje nga dhuna në familje i vitit 2010.

Ndryshimi në Kodin penal dhe atë të Procedurës penale për veprën penale të dhunës në familje, si dhe për zyrtarët e Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjyqtarët të cilët vonojnë apo pengojnë mbrojtjen efektive të viktimës.

Përfshirja e Strehimoreve në rishikimin e buxhetit 2018 sipas një linjë të veçantë dhe të përhershme buxhetore.

Buxhetimi i plotë pas rishikimit të Planit dhe Strategjisë së veprimit kundër dhunës në familjE.