Në Klinikën Infektive të QKUK, katër pacientë me COVID-19 në gjendje të...

Në Klinikën Infektive të QKUK, katër pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

16.05.2020 14:13:28

Në Klinikën Infektive të QKUK-së po qëndrojnë të hospitalizuar gjithsej 12 pacientë me COVID-19, prej tyre katër janë me gjendje më të rëndë.

Për gjendjen e pacientëve me COVID-19, të shtrirë në Klinikën Infektive, ka njoftuar Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili ka thënë se prej 12 pacientëve të shtrirë, tetë prej tyre janë në gjendje stabile.

“Katër pacientë janë në gjendje më të rëndë (prej të cilëve 2 janë me oksigjenoterapi në reparte të klinikës, ndërsa 2 në Mjekim intensiv)”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook.

Sipas Hotit, tre pacientë të tjerë të cilët kanë rezultuar negativ në COVID-19 e vazhdojnë mjekimin në klinikë, kurse tre të tjerë janë në pritje të rezultateve për SARS-Cov-2 (COVID-19), raporton Telegrafi.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) regjistroi të premten dhjetë raste të reja pozitive me coronavirus.

Sipas IKSHPK-së, edhe një pacient është shëruar, duke e çuar në 691 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Me shifrat e fundit, numri total i të infektuarve në Kosovë arrin në 955.

Prej tyre, 29 vetë kanë humbur jetën. Shumica nga ta kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.