Në Kosovë, vaksina anti-COVID pritet të arrijë gjatë shkurtit

Në Kosovë, vaksina anti-COVID pritet të arrijë gjatë shkurtit

05.02.2021 10:58:22

Vaksina anti-COVID pritet që në Kosovë të arrijë gjatë këtij muaji. Kështu ka deklaruar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ndërkohë që mikrobiologu Lul Raka, tha  për Radio Kosovën se kushdo që ka mundësi të vaksinohet, duhet ta bëjë një gjë të tillë, ndërkohë që shtoi se në 20 vjetët e fundit, në vendet e pazhvilluara, vaksinat janë përdorur kundër shumë sëmundjeve, dhe kanë shpëtuar 37 milionë jetë njerëzish kryesisht fëmijë nën moshën 5 vjeç.

Vaksina anti-COVID pritet që në Kosovë të arrijë në muajin shkurt. Zotimin e dha ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sipas të cilit tashmë janë bërë gjitha përgatitjet zinxhirore për ardhjen e kësaj vaksine.

“Procesi i përgatitjes së ardhjes së vaksinave ka përfunduar, që nënkupton jo vetëm me planin e imunizimit por edhe zinxhirin e ftohjes. Jemi në pritje të ardhjes dhe në muajin shkurt vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë’’, tha Zemaj.

Megjithëkëtë shpeshherë janë dëgjuar zëra nga qytetarët se janë skeptikë lidhur me atë nëse do të vaksinohen ose jo. Radio Kosova ka anketuar disa qytetarë për të marrë mendimet e tyre lidhur me vaksinimin.

“Tërë bota e merr, kush jemi ne që të mos e marrim?!”, ka thënë një qytetar. “Po, patjetër! Shpresojmë vetëm të vjen vaksina në Kosovë”, ka shtuar një tjetër qytetar.

Por, ka edhe të atillë që ende nuk janë të vendosur për një gjë të tillë. “Se kam menduar këtë çështje, por më përpara nuk e marrë. Jo që kam informata të hollësishme por vetë ashtu, nuk do ta marrë. As vaksinën kundër gripit sezonal nuk e marrë asnjëherë”, ka thënë një qytetar.

Në anën tjetër, mikrobiologu Lul Raka ka deklaruar se një ndër zbulimet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, padyshim që  janë vaksinat. Ai tha se vetëm në 20 vjetët e fundit në vendet e pazhvilluara, vaksinat janë përdorur kundër shumë sëmundjeve duke shpëtuar 37 milionë jetë njerëzish, kryesisht fëmijë nën moshën 5 vjeç.

“Roli i vaksinave në parandalimin e sëmundjeve është i pazëvendësueshëm edhe tash në kohë pandemie, dhe drita e vetme në tunel është pikërisht vaksinimi. Sipas informatave zyrtare, vaksinat kundër COVID-19 pritet të vijnë në muajin shkurt në Kosovë dhe unë apeloj që të gjitha kategoritë e njerëzve të vaksinohen. Pra, është fjala për të gjitha grupet prioritare sepse në fillim nuk do të ketë vaksina për të gjithë, të vaksinohet patjetër’’, tha Raka.

Ai shtoi se kohëve të fundit, është parë se ka pasur problem në furnizim me vaksina në gjithë botën, për shkak se disa vende të pasura kanë parapaguar dhe kanë marrë vaksina më shumë sesa banorë që kanë. Andaj sipas tij, kjo qasje duhet të ndërrojë, që të mbështeten edhe vendet e pazhvilluara ku bën pjesë edhe Kosova.