Në mungesë të ligjeve, Policia detyrohet t’i mbajë në punë zyrtarët me probleme shëndetësore

29.02.2020 14:42:00

Në mungesë të Ligjit për pensionim të parakohshëm, Policia e Kosovës po detyrohet që në rradhët e veta të mbajë policë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Këtë e kanë bërë të ditur edhe nga Policia e Kosovës.

Ditë më parë, në një raport të lëshuar, Policia e Kosovës ka treguar detajisht lidhur zyrtarët policorë të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore – duke treguar se shumë prej tyre kanë edhe probleme psikologjike.

Sipas këtij raporti, 120 është numri i zyrtarëve policor të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, të kategorizuara si të veçanta për shkak të natyrës së rëndë të sëmundjes.

Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore në Policinë e Kosovës i trajton këto raste me prijoritet të veçantë duke u pazuar në Procedurat Standarde të Operimit, shkruan lajmi.net.

Si shkak i problemeve shëndetësore të natyrës psikologjike, Policia ka liruar nga arma zyrtare 20 zyrtarë, 4 prej tyre në pushim mjekësor të kategorizuar si rast i veçantë shëndetësor.

Gjithashtu, ata kanë treguar se mosha e pensionimit të zyrtarëve policor për të dy gjinitë është 65 vjeç.

“Policia e Kosovës nuk ka Ligj për Pensionim të Parakohshëm të zyrtarëve policorë, por bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.02/2018 Mbi marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, neni 88, pensionimi ceket se 1. Mosha e pensionimit për punonjësit e Policisë së Kosovës, pa marrë parasysh gjininë është gjashtëdhjetë e pesë (65 vjet) dhe 3. Personeli policor që arrin moshën e pensionimit, gëzon të drejtën e marrjes së (3) pagave mujore në vlerën e pagës së fundit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Zyrtarët policorë të Kosovës nuk mund të pensionohen si rezultat i gjendjes së tyre shëndetësore për shkak të mungesës së Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Por ata që vuajnë nga sëmundje të rënda mund të gëzojnë pushimin mjekësor prej 20 ditësh – ndërsa pushimi mjekësor me pagesë të plotë mund të jetë prej 2 deri në 12 muaj me mundësi të vazhdimit të kësaj periudhe kohore nëse kjo rekomandohet nga Komisioni i Veçantë nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore.

“Zyrtarët policor nuk mund të pensionohen si rezultat i gjendjes së tyre shëndetësore në mungesë të Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2018 Mbi Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, Neni 58, paragrafi 3 kur ndonjë punonjës i Policisë vuan nga sëmundjet e rënda të përcaktuara me PSO-në e Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore si dhe lëndimet në punë të cilat ndërlidhen me kryerjen e punëve zyrtare për shkak të kohëzgjatjes së mjekimit dhe shkallës së rrezikshmërisë për rrethin ku punon, pas pushimit mjekësor prej 20 ditësh, pushimi mjekësor me pagesë të plotë mund të jetë nga 2 deri në 12 muaj, me mundësi të vazhdimit të kësaj periudhe kohore si rezultat i rekomandimeve të Komisionit të Veçantë që caktohet nga Drejtësia e Shërbimeve Shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Nga Policia e Kosovës për lajmi.net kanë thënë se mungesa e Ligjit për pensionim të parakohëshsëm paraqet barrë për Policinë e Kosovës, por përkundër kësaj PK ofron ndihmë për personelin e vet.

“Mungesa e Ligjit për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policor dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore paraqet një barrë për Policinë e Kosovës përkundër kësaj, PK ofron përkrahje shëndetësore dhe psikologjike për personelin policorë”, thuhet në këtë përgjigje.

Mungesa e Ligjit për Pensionim të Parakohshëm dhe Mungesa e Ligjit për Sigurime Shëndetësore në Policinë e Kosovës po ia vështirësojnë funksionimin institucionit që kujdeset për funksionimin e ligjit në shtet.

Për sigurimet shëndetësore të Policisë së Kosovës diskutohet çdo vit dhe nga çdo qeveri tash e disa vite por, gardianët e ligjit në Kosovë po vazhdojnë të punojnë në mungesë të tyre.

Debati për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të zyrtarëve policorë është hapur pas ngjarjes tragjike që ka goditur Gjilanin javën e kaluar kur një zyrtare policore vrau të gjithë anëtarët e familjes dhe në fund vetë.

Për policen në fjalë, Valdete Bllaca raportohej të kishte pasur probleme shëndetësore me ç’rast ishte liruar edhe nga arma, por e njëjta me armën zyrtare ekzekutoi të gjithë anëtarët e familjes.

Lidhur me këtë rast, në Stacionin Policor të Gjilanit janë suspenduar 2 zyrtarë policorë dhe komandanti i Stacionit.