Në një banesë në Dardani konfiskohen 8 kg marihuanë

27.10.2016 12:21:27

Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 8 kilogramë marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar. Kjo pasi njësitet policore në banesën e të dyshuarit në lagjen “Dardani” të Prishtinës kanë kapur mbi 8 kg marihuanë.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikim me Narkotikë, me datën 26 tetor 2016, pas një hetimi ka realizuar një plan taktik, me urdhër të gjykatës, duke bërë bastisjen e një banese në lagjen ‘Dardania’, nën dyshimin e bazuar se në atë lokacion mund të ketë sasi të narkotikëve. Pas bastisjes së banesës është gjetur sasi e narkotikëve, të cilat kanë qenë të mbështjella në 7 paketime të formave dhe madhësive të ndryshme, të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Me këtë rast është bërë arrestimi i të dyshuarit, A. M. I dyshuari i arrestuar akuzohet për veprën penale ‘blerje , posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge’, Neni 273.

Sipas informatave të pranuara dyshohet se i dyshuari ka pasur qëllim shpërndarjen e narkotikëve në sasi më të vogla tek përdorues të ndryshëm.

“Vlera e narkotikëve pas matjes me peshore ka rezultuar të jetë me peshë të përgjithshme 8 kilogramë e 82 gramë. Gjithashtu lidhur me këtë rast janë konfiskuar edhe një thikë dhe tre telefona mobilë”, ka sqaruar Policia

Me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalohet në qendrën e mbajtjes