Në Prizren gjenden mbetjet mortore të pesë personave

23.03.2017 19:37:30

Në varrezat ortodokse në Prizren janë gjetur mbetjet mortore të pesë personave, ka bërë të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Mbetjet mortore do të barten për obduksion dhe analiza të AND-së, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Këto mbetje u gjetën në pesë varreza të ndara. Dyshohet se i takojnë personave të zhdukur.

Gërmimet në lokacion filluan në orët e hershme të së enjtes dhe përfunduan gjatë ditës.

Identiteti i mbetjeve mortore të gjetura është ende i panjohur dhe për më shumë do të dihet pas përfundimit të analizës së AND-së.

Në procesin e zhvarrosjes morën pjesë përfaqësuesit e komisioneve qeveritare të Prishtinës dhe Beogradit si dhe përfaqësuesit e EULEX-it.