Në qendër të Kosovës pritet të mbahet një shfaqje për Millosheviqin

09.01.2018 21:41:55

Një grup teatral serb në Kosovë do të mbajë një shfaqje muzikale në lidhje me jetën e ish-presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq, në Graçanicë.

Kjo shfaqje muzikale që është titulluar “Shou i Sllobodanit”(Slobodan Show) do të mbahet në shkurt të këtij viti, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve AFP.

AFP raporton se shfaqja për Slobodan Millosheviqin “do të mbahet në pjesën qëndrore të Kosovës, në një vend prej 1.8 milion banorësh që banohet në shumicë nga shqiptarë etnik.”
“Provat do të fillojnë në mes të muajit janar dhe nata e hapjes pritet të bëhet në shkurt,” tha kompozitori i kësaj shfaqjeje teatrale, Marko Grubiç.

Të gjithë aktorët që do të marrin pjesë në këtë shfaqje muzikale janë anëtarë të teatrit në Graçanicë.

Millosheviç, i cili u rrëzua nga pushteti në Serbi në tetor të vitit 2000, vdiq në vitin 2006 në moshën 64 vjeçare në qelinë e tij në Hagë, ku po gjykohej për krime lufte.

Millosheviq njihet si udhëheqës famëkeq që ka hapur luftërat në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.