NË QEVERI BESOJNË SE KUSHTET E PSD-SË PLOTËSOHEN E BUXHETI MIRATOHET

16.01.2019 18:58:30

Shqyrtimi i dytë i Projektbuxhetit për vitin 2019, është një prej pikave të para që e pret Kuvendin e Kosovës në fillim të nisjes së sesionit pranveror. Partia Socialdemokrate e kishte mbështetur projektbuxhetin nga pozicioni i opozitës, por ka vënë kushte për mbështetjen në lexim të dytë. Zyrtarët e Qeverisë besojnë se kushtet e PSD-së do të plotësohen dhe buxheti do të miratohet.

Autor: BAJRAM LANI

Një prej kushteve të vëna nga Partia Socialdemokrate më 21 dhjetor, kur u miratua në lexim të parë projektbuxheti 2019, është plotësuar. Projektligji për dialogun, është aprovuar nga ana e Qeverisë më 24 dhjetor, ashtu siç ishte kërkuar nga PSD-ja. Edhe në Ligjin për Qeverinë, që është po ashtu kusht, është duke u punuar dhe pritet deri në mars të procedohet në Kuvend. PSD kishte kërkuar që ky ligj të shkojë në Kuvend brenda tre muajsh. Ndërsa mbetet sfidë, Projektligji për pagat, për të cilin PSD-ja ka kërkuar që të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit. Por, kordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri nuk e sheh problem as këtë kusht.

“Pakoja e ligjeve që e rregullojnë administratën shtetërore, që është edhe Ligji pagave, do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, kur miratohet edhe buxheti. Komisioni parlamentar është duke i amandamentuar të gjitha pikat të cilat janë ngritur prej organizatave të ndryshme buxhetore, në mënyrë që ky ligj dhe kjo pako të përgatitet për takimin e ardhshëm të Kuvendit, kur do të miratohet edhe buxheti”, tha Tahiri për Radio Kosovën.

Kërkesë tjetër e PSD-së për ta mbështetur projektbuxhetin është edhe shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nekad Rikallo dhe funksionalizimi i plotë i kësaj ministrie. Kryeministri Haradinaj një ditë më parë ka thënë se do të shqyrtohet me kohë kjo kërkesë.

“Për Rikallon është kërkesë legjitime e një subjekti politik, do ta shqyrtojmë në kohë”, ka thënë Haradinaj.

Zyrtarë të PSD-së kanë përsëritur qëndrimin se pa plotësimin e kushteve, ky subjekt nuk do ta mbështes projektbuxhetin në lexim të dytë. Kushtet e këtij subjekti opozitar fuqizohen edhe më shumë kur dihet se LDK e Vetëvendosje kanë shprehur qëndrimin kundër projektbuxhetit 2019, e sidomos, kur koalicioni qeverisës, nuk mund të llogaris as në votat e Listës Serbe, e cila është po ashtu pjesë e koalicionit.