Në QKUK zëvendësohen valvulat zemrës me valvule biologjike

29.07.2018 12:40:03

Ekipi mjekësor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tek një pacient i moshës 70 vjeçare, ka realizuar operacionin e parë në QKUK,  të njohur si zëvendësim i valvules aortale me valvule biologjike (Bovin Biological Aortic Valve) të krijuar nga perikardi bovin.

Siç njofton QKUK, operacionet e tilla mundësojnë që pacientet të jetojnë pa terapi anti-koagulantë. Ato zakonisht vendosen tek pacientët të cilët kanë rrezik nga koagulopatit, tek femrat e reja të cilat mendojnë të krijojnë familje, tek të rinjtë që dëshirojnë të merren me sport dhe kanë nevojë për ndërrim të valvulet si dhe tek moshat e shtyra (70 vjet e tutje).

Pacienti i operuar është liruar në shtëpi në ditën e pestë post-operatore në gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale.

Valvulet  biologjike janë valvule të krijuara nga indet shtazore (indet e derrit, lopës, kalit). Në këtë rast është zëvendësuar valvula biologjike e krijuar nga perikardi i lopës.

Operacioni u realizua nga kardiokirurgët Dr. Arbër Kutllovci-kardiokirurg dhe Dr. Adem Grbolar-kirurg kardiovaskular, anestezioni është mbajtur nga Dr.Dafina Matoshi, kardio-anesteziologe dhe Dr.Diana Avdyli-kardio-anesteziologe, asistuar edhe nga ekipi i instrumentareve dhe teknikëve të anestezionit.

Kardiokirurgjia vazhdon të realizojë operime të komplikuara dhe të shtrenjta, të cilat realizohen në Qendrat e mëdha kardiokirurgjike në botë, duke kursyer pacientët që mos të shkojnë jashtë institucioneve publike, por edhe buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, thuhet në njoftim